Bota Postuar më 8 Nëntor 2025, 11:38

Viti 2025, ndër më të nxehtët në histori - Temperaturat dhe niveli i gazeve serrë po arrijnë kulme historike

Nga Kristi Ceta

Viti 2025, ndër më të nxehtët në histori - Temperaturat

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, viti 2025 pritet të jetë i dyti ose i treti më i ngrohtë në histori, mes përkeqësimit të ngrohjes globale.

Në raportin “State of the Climate Update for COP30”, thuhet se temperatura mesatare globale pranë sipërfaqes ishte rreth 1.42 gradë Celsius më e lartë se mesatarja paraindustriale, ndërsa përqendrimet atmosferike të gazeve serrë dhe nxehtësia e oqeaneve arritën nivele rekord në vitin 2024 dhe vazhdojnë të rriten edhe në 2025.

Sipas raportit, shtrirja e akullit në Oqeanin Arktik në mars 2025 ishte më e vogla e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i matjeve satelitore, ndërsa akulli në Antarktidë ka mbetur shumë poshtë mesatares gjatë gjithë vitit.

Pasojat e kombinuara të temperaturave të larta dhe fenomeneve ekstreme të motit kanë dëmtuar tokat bujqësore, kanë përkeqësuar jetesën dhe thelluar varfërinë, duke shkaktuar zhvendosje në disa rajone të botës, thuhet në raport.

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, theksoi se është pothuajse e pamundur që në vitet e ardhshme të arrihet objektivi për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale. Megjithatë, ajo shtoi se nuk ka vend për pesimizëm, pasi prirja ende mund të ndryshojë.

Një raport i mëparshëm i Organizatës vlerësoi se temperaturat globale do të mbeten në nivele rekord ose pranë tyre, duke shtuar rreziqet klimatike dhe ndikimin mbi shoqërinë, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat