Bota Postuar më 20 Qershor 2026, 11:55

Vijojnë përpjekjet për një marrëveshje përfundimtare SHBA-Iran/ Witkoff dhe Kushner në Zvicër për bisedime me ndërmjetësit e Katarit

Nga Alida Lula

Vijojnë përpjekjet për një marrëveshje

Një valë e re aktiviteti diplomatik është duke u zhvilluar në Zvicër, ku po shqyrtohet mundësia e rifillimit të negociatave mes SHBA dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit. Zhvillimet vijnë pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hezbollahut, i cili ka krijuar një klimë më të favorshme për rikthimin në tryezën e bisedimeve.

I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, është nisur drejt Zvicrës për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me Iranin si Jared Kushner, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump, si dhe kryeministri e ministri i Jashtëm i Katarit, i cili konsiderohet një ndërmjetës i rëndësishëm mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Negociatat ishin planifikuar të nisnin të premten, por u shtynë për shkak të përshkallëzimit të luftimeve në Liban. Megjithatë, armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hezbollahut ka rihapur mundësinë për vazhdimin e dialogut diplomatik.

Situata në terren mbetet e tensionuar, autoritetet libaneze raportuan të paktën 47 të vrarë dhe rreth 100 të plagosur nga bombardimet izraelite, ndërsa ushtria e Izraelit njoftoi humbjen e katër ushtarëve, përfshirë një oficer të lartë. Retorika mes palëve vazhdon të jetë e ashpër, ku kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Hezbollahu do të paguajë një “çmim’’ shumë të rëndë, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, bëri thirrje për masa më të forta ndaj Libanit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi akuzoi Izraelin se po kërkon një konflikt të përhershëm në rajon. Sipas një zyrtari amerikan, armëpushimi u arrit pas ndërmjetësimit të SHBA-së, Katarit, Izraelit dhe Iranit. Megjithatë, vetëm pak orë pas shpalljes së tij u raportuan incidente të reja, me burime libaneze që folën për bombardime të tjera, pretendime të cilat u mohuan nga Izraeli.

Ndërkohë, Zvicra ka njoftuar se negociatat bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Sipas autoriteteve iraniane, nuk ka nxitim për zhvillimin e takimit dhe një datë e re pritet të caktohet në ditët në vijim. Zhvillimet po ndikojnë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është përshpejtuar ndjeshëm, ndërsa çmimi i naftës Brent është stabilizuar rreth nivelit të 80 dollarëve për fuçi, teksa investitorët ndjekin me kujdes ecurinë e negociatave dhe situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat