Bota Postuar më 28 Gusht 2025, 10:53

Vetëm 3 shtete të NATO-s përmbushin objektivin e ri - Të gjitha vendet anëtare do të arrijnë pragun e vjetër të shpenzimeve këtë vit

Nga Kristi Ceta

Vetëm 3 shtete të NATO-s përmbushin objektivin e ri - Të

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s do të arrijnë objektivin e vjetër të shpenzimeve për mbrojtje prej 2% të PBB-së këtë vit, por vetëm tre shtete aktualisht plotësojnë objektivin e ri më të lartë, të vendosur nga udhëheqësit e aleancës në qershor.

Shumë vende të NATO-s kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake vitet e fundit, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe kërkesave të Presidentit amerikan Donald Trump që aleatët evropianë të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.

Të dhënat tregojnë se deri vitin e kaluar, më shumë se 10 nga 32 anëtarët e aleancës nuk arrinin objektivin prej 2%, për të cilin ishte rënë dakord që në vitin 2014. Por në vitin 2025, të gjithë aleatët priten ta përmbushin këtë objektiv, me shtatë prej tyre që ndodhen në kufirin minimal prej 2.0% dhe disa të tjerë pak mbi këtë nivel.

Polonia është anëtarja e NATO-s që shpenzon më shumë për mbrojtje në raport me ekonominë e saj (4.48%), e ndjekur nga Lituania me 4% dhe Letonia me 3.73%. Këto janë të vetmet vende anëtare që aktualisht kalojnë objektivin e ri të shpenzimeve për mbrojtje prej 3.5% të PBB-së, të rënë dakord në samitin e qershorit në Hagë.

Liderët e NATO-s kanë rënë dakord që ky objektiv të arrihet deri në vitin 2035, si pjesë e një synimi më të gjerë për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje dhe investime të lidhura me sigurinë. Këto shpenzime përfshijnë sigurinë kibernetike dhe përmirësimin e infrastrukturës për transportin e pajisjeve të rënda ushtarake.

Duke folur në inaugurimin e një fabrike municionesh në Gjermani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përgëzoi rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga vendet anëtare, por theksoi se është e rëndësishme që këto fonde të shndërrohen në kapacitete reale ushtarake.

"Paratë në vetvete nuk sjellin siguri. Parandalimi nuk vjen nga 5%, por nga aftësia për të luftuar kundër armiqve të mundshëm," tha kreu i aleancës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat