Bota Postuar më 7 Janar 2026, 10:22

Venezuela do të eksportojë naftë në SHBA - Marrëveshja me Uashingtonin arrin në 2 miliardë dollarë

Nga Dorian Koça

Venezuela do të eksportojë naftë në SHBA - Marrëveshja

Karakasi dhe Uashingtoni kanë arritur një marrëveshje për të eksportuar deri në 2 miliardë dollarë naftë bruto venezueliane në Shtetet e Bashkuara, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Kjo marrëveshje do të devijonte furnizimet nga Kina dhe do të ndihmonte Venezuelën të shmangte shkurtime më të thella të prodhimit të naftës.

Marrëveshja është një shenjë e fortë se qeveria venezueliane po i përgjigjet kërkesës së Trump që të hapen ndaj kompanive amerikane të naftës, ose të rrezikojnë më shumë ndërhyrje ushtarake. Trump ka thënë se dëshiron që presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez t'u japë kompanive amerikane dhe atyre private "qasje të plotë" në industrinë e naftës së Venezuelës.

Venezuela ka miliona fuçi naftë të ngarkuara në cisterna dhe në rezervuarë magazinimi, të cilat nuk ka qenë në gjendje t’i transportojë për shkak të një bllokade mbi eksportet e vendosur nga Trump që nga mesi i dhjetorit.

Bllokada ishte pjesë e presionit në rritje të SHBA-së mbi qeverinë e Presidentit Venezuelan Nicolas Maduro që kulmoi me kapjen e tij nga forcat amerikane këtë fundjavë. Zyrtarët e lartë venezuelianë e kanë quajtur kapjen e Maduros një rrëmbim dhe akuzuan SHBA-në se po përpiqen të vjedhin rezervat e mëdha të naftës së vendit.

“Kjo naftë do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe ato para do të kontrollohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që ato të përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara!”, shtoi ai.

Sekretari amerikan i Energjisë është përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes, tha Trump, duke shtuar se nafta do të merret nga anijet dhe do të dërgohet direkt në portet amerikane.

Furnizimi i naftës së papërpunuar të bllokuar në SHBA fillimisht mund të kërkojë rialokimin e ngarkesave që ishin të destinuara për Kinën. Vendi aziatik ka qenë blerësi kryesor i Venezuelës në dekadën e fundit dhe veçanërisht që kur Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj kompanive të përfshira në tregtinë e naftës me Venezuelën në vitin 2020.

"Trump dëshiron që kjo të ndodhë herët në mënyrë që të mund të thotë se është një fitore e madhe", tha një burim nga industria e naftës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat