Bota Postuar më 28 Prill 2025, 14:50

Ushtria, rekord shpenzimesh globale në vitin 2024 - Kostot evropiane regjistrojnë rritjen më të lartë që nga Lufta e Ftohtë

Nga Kristi Ceta

Ushtria, rekord shpenzimesh globale në vitin 2024 - Kostot evropiane

Shpenzimet ushtarake në mbarë botën shënuan rritjen më të madhe në vitin 2024 që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke arritur në 2.7 trilionë dollarë, ndërsa luftërat dhe tensionet nxitën zgjerimin e shpenzimeve, sipas studiuesve.

Kostot ushtarake shënuan rritje veçanërisht të mëdha në Evropë dhe Lindjen e Mesme, sipas një raporti të ri nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Disa vende evropiane kishin shënuar rritje "të paprecedentë" në shpenzimet e tyre ushtarake, vuri në dukje raporti.

Në terma realë, kostot u rritën me 9.4 përqind në nivel global krahasuar me vitin 2023, me vitin 2024 që shënon vitin e 10-të të rritjes së njëpasnjëshme të shpenzimeve. Më shumë se 100 shtete rritën buxhetet e tyre ushtarake vitin e kaluar, tha raporti.

Kontribuesi kryesor në rritjen e shpenzimeve ishte rajoni evropian, duke përfshirë Rusinë, ku shpenzimet u rritën me 17 përqind, në 693 miliardë dollarë.

Të gjitha shtetet evropiane, përveç Maltës, zgjeruan buxhetet e tyre, "duke i shtyrë shpenzimet ushtarake të kontinentit përtej nivelit të regjistruar në fund të Luftës së Ftohtë".

Shpenzimet ushtarake të Rusisë arritën në 149 miliardë dollarë në vitin 2024: një rritje prej 38% krahasuar me vitin e kaluar dhe një dyfishim që nga viti 2015. Kostot ushtarake të Ukrainës u rritën me 2.9% duke arritur në 64.7 miliardë dollarë. Ndërsa kjo shumë korrespondon me vetëm 43% të shpenzimeve të Rusisë për armatime, në rastin e Ukrainës është ekuivalente me 34% të PBB-së së saj. Kjo do të thotë se Kievi mban barrën më të lartë ushtarake se çdo vend tjetër.

Shpenzimet e Gjermanisë u rritën me 28% dhe shkuan në 88.5 miliardë dollarë, duke tejkaluar Indinë si vendi i katërt në botë.

Shpenzuesi më i madh global, SHBA rriti kostot me 5.7%, duke arritur në 997 miliardë dollarë. Vetëm kjo përbën 37% të shpenzimeve botërore dhe 66% të shpenzimeve ushtarake midis vendeve të NATO-s. Kostot totale ushtarake nga 32 anëtarët e aleancës u rritën në 1.5 trilionë.

Buxhetet ushtarake u rritën gjithashtu në mënyrë drastike në Lindjen e Mesme, duke arritur në rreth 243 miliardë dollarë, një rritje prej 15 përqind nga viti 2023.

Kina, vendi i dytë më i madh në botë për shpenzime, e rriti buxhetin e saj ushtarak me 7 përqind, duke arritur në rreth 314 miliardë dollarë, "duke shënuar tre dekada rritjeje të njëpasnjëshme".

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat