Bota Postuar më 28 Gusht 2025, 10:58

Ukraina hap tender për shfrytëzimin e litiumit - Projekti synon të tërheqë investime amerikane e të nxisë prodhimin vendas

Nga Kristi Ceta

Ukraina hap tender për shfrytëzimin e litiumit - Projekti synon

Ukraina ka hapur një tender për të drejtën e shfrytëzimit të një depozite litiumi në rajonin qendror të Kirovohradit, njoftoi kryeministrja Yulia Svyrydenko.

Tenderi për vendburimin “Dobra” pritet të jetë projekti i parë në kuadër të një fondi të përbashkët investimi me Shtetet e Bashkuara, i nënshkruar në prill, si pjesë e përpjekjeve të Kievit për të ruajtur mbështetjen e Uashingtonit në luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Partneriteti, i promovuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, i jep SHBA-së qasje preferenciale në marrëveshje të reja për mineralet ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit.

“Zona përmban rezerva të konsiderueshme litiumi, që ka rëndësi strategjike për energjinë dhe teknologjinë. Ne po kërkojmë një investitor që të sigurojë jo vetëm nxjerrjen, por edhe zhvillimin e prodhimit me vlerë të shtuar brenda Ukrainës,” shkroi Svyrydenko në aplikacionin Telegram.

Ajo shtoi se njoftimi zyrtar do të publikohet brenda dy muajve të ardhshëm, pasuar nga një periudhë tremujore për pranimin e ofertave, dhe më pas do të merret vendimi për fituesin.

Ministria e Ekonomisë së Ukrainës deklaroi në faqen e saj të internetit se fituesi i tenderit do të nënshkruajë një marrëveshje 50-vjeçare dhe do të angazhohet për të investuar të paktën 179 milionë dollarë.

“Kjo shumë përfshin si financimin për eksplorimet gjeologjike, ashtu edhe nisjen e prodhimit dhe pasurimit. Për më tepër, marrëveshja parashikon respektimin e standardeve mjedisore, përdorimin e mallrave dhe fuqisë punëtore vendase, si dhe investime në zhvillimin e komuniteteve lokale,” thuhet në deklaratë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat