Bota Postuar më 18 Tetor 2025, 12:21

Tunel nënujor që do të lidhë SHBA me Rusinë/ Trump: Duket propozim interesant, do të duhet ta mendojmë

Nga Lidion Kulla

Tunel nënujor që do të lidhë SHBA me Rusinë/ Trump:

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se propozimi rus ndaj Elon Musk dhe kompanisë së tij të tuneleve, Boring Company, për të ndërtuar një lidhje hekurudhore nënujore përmes Ngushticës së Beringut ishte interesant. “Ky është një propozim interesant”, tha Trump kur u pyet për ndërtimin e tunelit të sugjeruar nga Rusia, që do të lidhë dy vendet në Alaskë. “Do të duhet të mendojmë për këtë, nuk e kisha dëgjuar më parë, shtoi Trump.

Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se në këtë moment nuk është i kënaqur me idenë për ndërtimin e tunelit. Kirill Dimitriev, i dërguari për investimet i Presidentin rus Vladimir Putin, sugjeroi në një postim në platformën X të Musk, se projekti do të financohej pjesërisht nga Moska. Dimitriev tha se do të ishte “një lidhje hekurudhore prej 70 miljesh apo 112 kilometra, që do të simbolizonte unitetin mes dy vendeve.

Normalisht, një tunel i tillë do të kushtonte rreth 65 miliardë dollarë për t’u ndërtuar, tha Dimitriev, i cili është edhe kreu i fondit sovran të Rusisë. Por, ai shtoi se “Boring Company” e Elon Mosk dhe teknologjia që ajo përdor mund t’i ulin potencialisht kostot në 8 miliardë dollarë dhe ta përfundojnë projektin brenda tetë vjetësh.

Sugjerimi i Dimitriev pasoi një telefonatë midis Trump dhe Putin, gjatë së cilës u bënë plane për një zgjidhje të mundshme të Luftës në Ukrainë. Trump tha se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltarë të tjerë të nivelit të lartë do të takohen me një delegacion rus, përpara se Trump dhe Putin të takohen në Budapest. Musk nuk iu përgjigj kërkesës për një koment, në lidhje me propozimin.

Ndërtimi i një tuneli nënujor në Ngushticën e Beringut do të kërkonte që Boring Company e Musk të punonte në temperatura nën zero, në një rajon pa infrastrukturë ekzistuese dhe me tërmete të shpeshta. “The Boring Company” nuk ka eksperiencë pune në kushte të tilla ekstreme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat