Bota Postuar më 10 Korrik 2025, 10:08

Trump vendos tarifa 50% për importet e bakrit - SHBA shpall masa “ndëshkuese” ndaj mallrave braziliane

Nga Kristi Ceta

Trump vendos tarifa 50% për importet e bakrit - SHBA shpall masa

Presidenti Donald Trump njoftoi vendosjen e një tarife 50% për importet e bakrit në SHBA. Gjithashtu, ai ndërmori masa kundër Brazilit, duke vendosur taksa 50% për produktet e vendit amerikano-latin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftoi një tarifë të re prej 50% për importet e bakrit në SHBA dhe një taksë prej 50% për mallrat nga Brazili. Të dyja masat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. "Po njoftoj një tarifë prej 50% për bakrin, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, pas një vlerësimi të sigurisë kombëtare", tha Trump në platformën e tij Truth Social.

Njoftimi erdhi disa orë pasi ai informoi gjithashtu Brazilin se tarifa e tij "reciproke" më 1 gusht do të rritej në 50% nga 10%, një nivel ndjeshëm i lartë për një shtet me marrëdhënie tregtare të ekuilibruar me SHBA-në.

Trump e përmendi për herë të parë tarifën e bakrit gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën, duke shtuar tensionet te kompanitë, që po kërkojnë të zgjerojnë importet para se të hyjë në fuqi vendimi. Presidenti amerikan fajësoi administratat e kaluara për rënien e industrisë së bakrit në SHBA, duke thënë se metali ishte i nevojshëm për gjysmëpërçuesit, avionët, bateritë e automjeteve elektrike dhe pajisjet ushtarake.

Urdhri i Trump për tarifat në Brazil erdhi në një letër drejtuar Presidentit Brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, ku shprehej zemërimi për gjyqin që ai e quajti "gjueti shtrigash", ndaj ish-kreut të krahut të djathtë, Jair Bolsonaro.

Trump gjithashtu kritikoi ato që ai i quajti goditje të Brazilit ndaj zgjedhjeve të lira, lirisë së fjalës dhe "urdhrave të paligjshme të censurës në platformat e mediave sociale". Lula iu përgjigj letrës së Trump duke thënë se çdo masë e njëanshme për të rritur tarifat do të përballej me një përgjigje në përputhje me ligjin brazilian.

Brazili është partneri i 15-të më i madh tregtar i SHBA-së, me një tregti totale dypalëshe prej 92 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe një suficit tregtar amerikan prej 7.4 miliardë dollarësh, sipas të dhënave amerikane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat