Bota Postuar më 6 Gusht 2025, 10:21

Trump, tarifa për gjysmëpërçuesit - Masat e reja priten të hyjnë në fuqi javën e ardhshme

Nga Kristi Ceta

Trump, tarifa për gjysmëpërçuesit - Masat e reja priten

Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të zbulojë tarifat e reja për gjysmëpërçuesit dhe çipet duke nisur nga java e ardhshme.

"Ne do të njoftojmë për gjysmëpërçuesit dhe çipet, që janë një kategori e veçantë, sepse duam që ato të prodhohen në Shtetet e Bashkuara", tha Trump gjatë një interviste. Ai theksoi se njoftimi do të vijë "brenda javës së ardhshme". Lideri amerikan nuk dha detaje të tjera rreth planit.

Kërkesa globale për gjysmëpërçues dhe mikroçipe është rritur ndjeshëm, pasi teknologjia është integruar në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, duke përfshirë industrinë e inteligjencës artificiale.

Shumica dërrmuese e gjysmëpërçuesve më të përparuar në botë vijnë nga Tajvani, shtëpia e prodhuesit të madh të çipeve TSMC, klientët e të cilit përfshijnë Apple, Nvidia, Qualcomm dhe AMD.

Trump zbuloi afatin kohor të tarifave disa ditë pasi nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të vendosur masa të reja për importet e një numri të madh vendesh, me disa partnerë tregtarë që përballen me rritje të mëdha. Mallrat tajvaneze do të përballen me një tarifë të përditësuar prej 20% duke filluar nga kjo javë, megjithëse kjo është më e ulët nga tarifa prej 32% që Trump kishte kërcënuar më parë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se tarifat për produktet farmaceutike të importuara mund të arrijnë deri në 250%. Ai kishte thënë më parë se këto taksa do të arrinin në 200%.

"Disponoj shifrat më të mira të sondazheve që kam pasur ndonjëherë" sepse "njerëzit i duan tarifat", pohoi Trump në intervistë, edhe pse vlerësimi i tij ka rënë në përditësimet e fundit të shumë anketave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat