Bota Postuar më 5 Shtator 2025, 10:49

Trump paralajmëron tarifa për çipet - Masat do të synojnë kompanitë që nuk zhvendosin prodhimin në SHBA

Nga Kristi Ceta

Trump paralajmëron tarifa për çipet - Masat do të

Presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij do të vendosë tarifa për importet e gjysmëpërçuesve nga kompanitë që nuk e zhvendosin prodhimin në Shtetet e Bashkuara.

Që nga kthimi i tij në detyrë në janar, kërcënimi i Trump për vendosje tarifash ka acaruar partnerët tregtarë, ka shkaktuar paqëndrueshmëri në tregjet financiare dhe ka rritur pasigurinë në ekonominë globale.

“Për sa u përket çipeve, do të vendosim tarifa për kompanitë që nuk po vijnë në SHBA. Do të vendosim një taksë së shpejti,” tha Trump, pa dhënë një kohë apo përqindje të saktë. “Do të vendosim një tarifë të konsiderueshme, me kushtin që nëse kthehen në vend apo planifikojnë të prodhojnë këtu, masat do të hiqen,” u tha ai gazetarëve.

Presidenti amerikan i ka kthyer tarifat në një shtyllë të politikës së jashtme, duke i përdorur si mjet presioni për të rinegociuar marrëveshje tregtare dhe për të marrë lëshime nga shtet dhe kompani që eksportojnë mallra në SHBA.

“Për shembull, do të thosha se drejtori ekzekutiv i Apple Tim Cook është në një pozitë të mirë,” shtoi ai, teksa Cook ndodhej ulur përballë tij në tavolinë. Apple, prodhuesi i iPhone, kohët e fundit ka rritur angazhimin e tij për investime në SHBA në 600 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme.

Muajin e kaluar, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë rreth 100% për importet e gjysmëpërçuesve, por ajo nuk do të aplikohet për kompanitë që prodhojnë brenda vendit ose që janë angazhuar ta bëjnë këtë.

Gjigantët aziatikë të çipeve, si TSMC nga Tajvani dhe Samsung Electronics e SK Hynix nga Koreja e Jugut, kanë njoftuar tashmë se do të investojnë për prodhimin e çipeve në SHBA.

Ndërkohë, Trump është përballur me sfida ligjore për përdorimin e tarifave. Administrata e tij i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shqyrtojë një kërkesë për të mbajtur në fuqi tarifat, duke u mbështetur në një ligj të vitit 1977, që është menduar për raste emergjente. Kjo kërkesë erdhi pasi një gjykatë më e ulët i ka rrëzuar shumicën e tarifave që kanë qenë thelbësore për agjendën e tij ekonomike dhe tregtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat