Bota Postuar më 16 Dhjetor 2025, 11:34

Trump padit BBC - Kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim pas dokumentarit “polemizues”

Nga Kristi Ceta

Trump padit BBC - Kërkon 10 miliardë dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump ka paditur BBC-në në gjykatën federale të Majamit për shpifje, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Padia civile akuzon British Broadcasting Corporation për prodhimin e një portreti “të rremë, shpifës, mashtrues, poshtërues dhe keqdashës” të Presidentit Trump në një dokumentar që u transmetua një javë para zgjedhjeve të vitit 2024.

Sipas padisë, dokumentari me titull “Trump: Një shans i dytë”, u ndryshua për ta bërë të dukej sikur gjatë fjalimit më 6 janar 2021 jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump kishte nxitur mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin Amerikan, gjë që ai nuk e kishte thënë.

Dokumentari e paraqiti në mënyrë të rremë Presidentin Trump duke u thënë mbështetësve: ‘Do të shkojmë te Kapitoli dhe unë do të jem atje me ju. Dhe ne do të luftojmë”. Ndërkohë Trump deklaroi se nuk e ka thënë në këtë mënyrë. Sipas padisë, fjalia “Dhe ne do të luftojmë” u tha nga Trump rreth 55 minuta më vonë pas deklaratës “Unë do të jem atje me ju.”

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, kërkoi falje së fundmi për atë që e quajti një “gabim gjykimi” lidhur me redaktimin, ndërsa drejtori i përgjithshëm dhe kreu i lajmeve dhanë dorëheqjen. BBC i kërkoi falje Trump më 13 nëntor dhe premtoi që dokumentari nuk do të transmetohet më në platformat e saj.

Në një deklaratë, BBC tha: “Ndërsa BBC kërkon falje sinqerisht për mënyrën se si u redaktua klipi, ne nuk jemi dakord se ekzistojnë premisat për padi shpifjeje.”

Një zëdhënës i ekipit ligjor të Trump tha: “BBC, dikur e respektuar dhe tani e diskredituar, shpifi ndaj Presidentit Trump duke redaktuar me qëllim dhe me keqdashje fjalimin e tij, në një përpjekje të guximshme për të ndërhyrë në Zgjedhjet Presidenciale të 2024-s.”

Lideri amerikan gjithashtu deklaroi: “Së shpejti do ta shihni që do të padis BBC-në, pasi ata vendosën fjalën që nuk i kam thënë në gojën time”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat