Bota Postuar më 6 Dhjetor 2025, 13:09

Trump nderohet me Çmimin e Paqes nga FIFA / Lideri amerikan vlerësohet për ndalimin e shumë konflikteve

Nga Kristi Ceta

Trump nderohet me Çmimin e Paqes nga FIFA / Lideri amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë personi i parë që ka pranuar Çmimin e ri të Paqes nga FIFA gjatë hedhjes së shortit për Kupën e Botës 2026.

Gjatë prezantimit, FIFA tha se Trump ka sjellë paqe në shumë vende të botës, ka arritur armëpushime dhe ka shtyrë përpara procese diplomatike. Udhëheqësi amerikan u shpreh se ka ndalur tetë luftëra, duke përfshirë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.

Gianni Infantino, kreu i organizatës botërore të futbollit, ia ndau çmimin Trump gjatë një ceremonie në Qendrën Kennedy në Uashington.

“Është vërtet një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Ne shpëtuam miliona jetë. Për shembull në Kongo, më shumë se 10 milionë njerëz vdiqën. Gjithashtu ndaluam luftën mes Indisë dhe Pakistanit. Bota është një vend më i sigurt tani. SHBA një vit më parë nuk ishte në situatë aq të mirë”, u shpreh Trump.

Infantino deklaroi se Trumpi e fitoi këtë çmim për shkak të “veprimeve të jashtëzakonshme” për të promovuar paqen dhe unitetin në mbarë botën. FIFA njoftoi në nëntor se do të ndante këtë çmim vjetor për të vlerësuar njerëzit që sjellin “shpresë për brezat e rinj”.

Presidenti amerikan disa herë ka thënë se e meriton të fitojë Çmimin Nobel për Paqe për shkak të rolit të tij në ndaljen e tetë konflikteve gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe arritjen e armëpushimit në Gaza. Megjithatë, Nobelin për Paqe këtë vit e fitoi udhëheqësja opozitare e Venezuelës, Marina Corina Machado.

Udhëheqësi amerikan e ka vendosur në qendër të mandatit të dytë presidencial organizimin e Kupës së Botës. Eventi do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat