Bota Postuar më 20 Gusht 2025, 10:45

Trump “ndërhyn” në industrinë e çipeve - Qeveria, gati të blejë rreth 10% të aksioneve të Intel

Nga Kristi Ceta

Trump “ndërhyn” në industrinë e çipeve -

Administrata Trump është në bisedime për të marrë rreth 10% të aksioneve të kompanisë Intel, çka do ta bënte qeverinë amerikane aksioneren më të madhe të prodhuesit të çipeve.

Qeveria federale po shqyrton mundësinë që të kthejë një pjesë ose të gjitha grantet që i janë dhënë Intel përmes Ligjit për Çipet dhe Shkencën në aksione, raportoi Bloomberg. Kompania ka marrë gjithsej 10.9 miliardë dollarë grante për prodhimin komercial dhe ushtarak të çipeve, falë ligjt të nënshkruar nga ish-presidenti Joe Biden në vitin 2022. Kjo shumë përfaqëson pak më shumë se 10% të vlerës së tregut të Intel, që ishte 103.8 miliardë dollarë në mes të gushtit.

Investimi i mundshëm do të mbështeste planet e Intel për të ndërtuar një qendër prodhimi në Ohio, në një kohë kur kompania ka nisur shkurtimin e vendeve të punës për të ulur kostot. Gjiganti teknologjik ka mbetur pas rivalëve si Nvidia në garën globale për çipet e inteligjencës artificiale. Marrja e aksioneve të Intel do të ishte përpjekja më e fundit e presidentit Donald Trump për të ndërhyrë në industrinë e çipeve. Më herët, qeveria amerikane njoftoi një marrëveshje që do t’i detyrojë Nvidia-n dhe AMD-në të paguajnë 15% të të ardhurave nga shitjet në Kinë.

Marrëveshja e mundshme do të përfaqësonte gjithashtu një kthesë të fortë, pas kërkesës që Trump bëri javën e kaluar për dorëheqjen e CEO-s së Intel, Lip-Bu Tan, për shkak të lidhjeve të supozuara me qeverinë kineze. “CEO i Intel është thellësisht i përfshirë në konflikt dhe duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Nuk ka zgjidhje tjetër për këtë problem,” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale më 7 gusht.

Intel shihet nga shumë si shpresa më e madhe e SHBA-së për të konkurruar me rivalët globalë si TSMC. Megjithatë, kompania është përballur me rënie të shitjeve dhe humbje të vazhdueshme. Që prej ardhjes së Tan, Intel ka shpallur planet për të shkurtuar 20% të stafit.

Fondet nga Ligji për Çipet ishin parashikuar për të forcuar kapacitetin prodhues të Intel brenda SHBA-së me projekte të reja dhe duhej të shpërndaheshin me kalimin e kohës. Një marrëveshje me qeverinë nuk do të sillte domosdoshmërisht më shumë para, por mund të përshpejtonte aksesin në fondet ekzistuese.

Trump njoftoi gjithashtu në fillim të gushtit një tarifë 100% për importet e çipeve, por kompanitë amerikane që kanë planifikuar investime të mëdha brenda vendit mund ta shmangin këtë taksë. Intel ka deklaruar se do të investojë 100 miliardë dollarë në SHBA gjatë pesë viteve të ardhshme, një plan i shpallur para zgjedhjeve të vitit 2024.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat