Bota Postuar më 16 Gusht 2025, 11:06

Trump “kursen” Kinën - Nuk i vendos tarifa Pekinit për blerjen e naftës ruse

Nga Kristi Ceta

Trump “kursen” Kinën - Nuk i vendos tarifa Pekinit për

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se për momentin nuk është e nevojshme të shqyrtojë vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve si Kina për blerjen e naftës ruse. Megjithatë, ai e la të hapur mundësinë që kjo të ndodhë “brenda dy ose tre javësh”.

Trump ka kërcënuar me masa ndaj Moskës dhe me sanksione dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë nga Kremlini, nëse nuk ndërmerren hapa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kina dhe India janë dy blerësit më të mëdhenj të naftës ruse.

Javën e kaluar, presidenti amerikan vendosi një tarifë shtesë prej 25% ndaj mallrave indiane, për shkak të importit të vazhdueshëm të naftës nga Moska. Megjithatë, ai nuk ka ndërmarrë veprime të ngjashme ndaj Kinës.

Kur u pyet nëse po shqyrton masa ndaj Pekinit, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me Presidentin rus Vladimir Putin për ndalimin e luftës, Trump u përgjigj:

“Duke pasur parasysh çfarë ndodhi sot, mendoj se nuk është e nevojshme ta mendoj këtë tani. Ndoshta do ta konsideroj pas dy ose tre javësh, por jo tani. Mendoj se takimi shkoi shumë mirë.”

Ekonomia kineze, që po ngadalësohet kohët e fundit, mund të pësojë goditje të mëtejshme nëse Trump e mban premtimin për të shtuar sanksionet dhe tarifat e lidhura me Rusinë.

Aktualisht, Presidenti kinez Xi Jinping dhe Trump po punojnë për të arritur një marrëveshje tregtare që synon të ulë tensionet dhe taksat e importeve mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Megjithatë, nëse lideri amerikan ndërmerr masa ndëshkuese më të forta, Kina mund të bëhet objektivi më i madh pas Rusisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat