Bota Postuar më 5 Gusht 2025, 10:07

Trump kërcënon Indinë me tarifa “ndëshkuese” - Paralajmëron masa për mallrat indiane për shkak të importeve ruse

Nga Kristi Ceta

Trump kërcënon Indinë me tarifa “ndëshkuese” -

Presidenti Donald Trump tha se do të rrisë "ndjeshëm" tarifat për Indinë sepse vendi ende importon naftë ruse. "India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por më pas, e shet pjesën më të madhe në tregun e hapur për fitime të mëdha", postoi presidenti në rrjetin e tij social, Truth Social. "Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën e paguar nga India në SHBA."

Por India kundërshtoi masën, duke thënë se po shënjestrohet padrejtësisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për importimin e naftës nga Rusia.

Tarifat janë taksa të paguara drejtpërdrejt nga importuesit, megjithëse vendet që eksportojnë mallra mund të dëmtohen indirekt, pasi çmimet më të larta kanë tendencë të ulin kërkesën. Kjo i detyron vendet të blejnë më shumë nga shtetet e tjera me tarifa më të ulëta ose të rrisin prodhimin vendas.

Javën e kaluar, Trump kërcënoi me një tarifë minimale prej 25% për mallrat që vijnë nga India, që do të hyjë në fuqi në fund të kësaj jave. Mallrat indiane aktualisht i nënshtrohen një tarife minimale prej 10%. Presidenti amerikan nuk specifikoi se sa do të jentë tarifat nëse India vazhdon të blejë naftë ruse.

Ministria Indiane e Punëve të Jashtme tha se vendi filloi të importojë nga Rusia sepse furnizimet tradicionale u devijuan në Evropë pas fillimit të luftës në Ukrainë. "Importet e Indisë kanë për qëllim të sigurojnë kosto të parashikueshme dhe të përballueshme të energjisë për konsumatorin indian. Ato janë një domosdoshmëri e detyruar nga situata e tregut global", thuhej në deklaratë.  India theksoi se SHBA dhe BE po "përfshiheshin gjithashtu në tregti me Rusinë".

"Në këtë sfond, shënjestrimi i Indisë është i pajustifikuar dhe i paarsyeshëm. Ashtu si çdo ekonomi e madhe, India do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtarë dhe sigurinë ekonomike", nënvizonte deklarata.

Kërcënimi i tarifave të Trump vjen ndërsa ai ka rritur presionin mbi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të arritur një armëpushim me Ukrainën brenda disa ditësh, duke shkurtuar afatin e mëparshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat