Bota Postuar më 1 Shtator 2025, 10:37

Trump anulon 5 miliardë USD ndihmë të huaj - “Anashkalon” Kongresin dhe ndërpret fondet për 15 programe ndërkombëtare

Nga Kristi Ceta

Trump anulon 5 miliardë USD ndihmë të huaj -

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një veprim të njëanshëm për të anuluar 4.9 miliardë dollarë ndihmë të huaj të autorizuar nga Kongresi, duke përshkallëzuar përplasjen për kontrollin e shpenzimeve të vendit. Trump i komunikoi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve se planifikon të ndalojë financimin për 15 programe ndërkombëtare.

Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit kompetencën për fondet, i cili kalon legjislacionin çdo vit për të financuar operacionet e qeverisë. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron t’i shpenzojë ato fonde, duhet të sigurojë miratimin e Kongresit, siç ndodhi në korrik, kur organi miratoi anulimin e 9 miliardë dollarëve në ndihma të huaja dhe fonde për median publike.

Lëvizja më e fundit e Trump e anashkalon krejtësisht Kongresin. Burime brenda qeverisë kanë argumentuar se presidenti mund t’i mbajë fondet pezull për 45 ditë, çka do të shtynte afatin deri në fund të vitit fiskal, më 30 shtator. Shtëpia e Bardhë tha se kjo taktikë ishte përdorur për herë të fundit në vitin 1977.

Sipas një dokumenti të dorëzuar në gjykatë, fondet në fjalë ishin të destinuara për ndihma të huaja, operacione paqeruajtëse të OKB-së dhe përpjekje për promovimin e demokracisë jashtë vendit. Shumica e këtyre ishin menaxhuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilën administrata e Trump e ka goditur masivisht.

Demokratët thonë se administrata ka ngrirë gjithsej më shumë se 425 miliardë dollarë fonde. Ndërsa shumica e ligjvënësve republikanë kanë deklaruar se mbështesin shkurtimet e shpenzimeve në çdo formë, edhe nëse kjo e dobëson autoritetin e Kongresit.

Por disa prej tyre kanë pranuar se veprimi është i paligjshëm. “Mënyra e duhur është të identifikohen mjete për të ulur shpenzimet e tepërta përmes procesit vjetor, dypalësh të ndarjes së fondeve,” thonë ata.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat