Bota Postuar më 16 Korrik 2025, 10:20

Tregtarët, në garë për të dërguar kafe në SHBA - Përpara hyrjes në fuqi të tarifës prej 50% nga 1 gushti

Nga Dorian Koça

Tregtarët, në garë për të dërguar kafe në

Tregtarët po bëjnë një garë me kohën për të shitur sa më shumë kafe braziliane në Shtetet e Bashkuara përpara se tarifa e re prej 50% e Trump mbi produktet braziliane të zbatohet më 1 gusht.

Të dhënat e publikuara së fundmi treguan se çmimet e konsumit në SHBA u rritën në qershor, ndërsa kostoja e tarifave të administratës Trump filloi të shtohej, duke përfshirë edhe kafenë.

Disa tregtarë po devijojnë drejtimin e anijeve në mes të udhëtimit, duke anuluar ndalesat në porte të tjera në mënyrë që kontejnerët e mbushur me kafe braziliane të mund të hyjnë në portet e SHBA-së pa paguar tarifën prej 50%.

Të tjerë po dërgojnë në tregun amerikan kafe me origjinë braziliane që kanë në magazinë në vendet fqinje si Kanadaja, ose Meksika, të destinuar për përdorim atje. Ndërkohë, importuesit me bazë në SHBA tashmë po publikojnë çmimet e shitjes me shumicë që përfshijnë tarifën shtesë prej 50% për çdo dërgesë që mbërrin pas 1 gushtit. Nuk ka zgjidhje alternative për kafenë që ende nuk është larguar nga Brazili.

Brazili prodhon një të tretën e të gjithë kafesë së përdorur në SHBA, si një origjinë e vetme ashtu edhe si bazë e shumicës së përzierjeve të shitura në vendin më të madh konsumues të kafesë në botë. SHBA prodhojnë vetëm rreth 1% të kafesë që përdoret në vend.

Çmimet e kafesë në SHBA janë rritur ndjeshëm pas një rritjeje prej 70% në treg vitin e kaluar të shkaktuar nga mungesat e prodhimit. Nëse zbatohet, tarifa e re prej 50% mbi importet nga Brazili, e njoftuar javën e kaluar, do të shkaktojë një valë rritjesh çmimesh, thonë aktorët e tregut.

Tregtarët thanë se nëse tarifa qëndron, rrjedhat e kafesë në tregun global do të riorganizohen, me atë braziliane që shkon në Evropë dhe Azi, dhe SHBA-të që blejnë më shumë nga Afrika, Amerika Jugore dhe Qendrore.

Ky ndryshim nuk është i lehtë dhe do t'u kushtojë importuesve më shumë, thanë ata.

Shoqata Kombëtare e Kafesë në SHBA tha se "kafeja është një pjesë integrale e jetës së përditshme të amerikanëve dhe ekonomisë amerikane", duke vënë në dukje se dy të tretat e të rriturve amerikanë pinë kafe çdo ditë. Shoqata i ka kërkuar administratës Trump të përjashtojë kafenë nga tarifat ndaj Brazilit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat