Bota Postuar më 3 Maj 2025, 10:36

TikTok gjobitet me 530 milionë euro - Irlanda ndëshkon platformën për transferim të të dhënave në Kinë

Nga Kristi Ceta

TikTok gjobitet me 530 milionë euro - Irlanda ndëshkon platformën

Platforma TikTok është gjobitur me 530 milionë euro nga Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave, për dështimin në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të BE-së gjatë transferimit të tyre në Kinë.

Burime nga Komisioni thanë se transferimet shkelën Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) sepse TikTok nuk arriti të demonstronte se të dhënat personale të përdoruesve në BE, të aksesuara në distancë nga stafi në Kinë, "kishin një nivel mbrojtjeje ekuivalente me atë të garantuar brenda bllokut".

"TikTok nuk trajtoi aksesin e mundshëm nga autoritetet kineze në të dhënat personale të zonës ekonomike evropiane sipas ligjeve kineze kundër terrorizmit e kundër spiunazhit, që platforma i cilësoi si të ndryshme nga standardet e BE-së", shtoi deklarata.

TikTok, që ka rreth 159.1 milionë përdorues aktivë mujorë në Evropë, duhet të sjellë përpunimin e të dhënave në përputhje me ligjet brenda gjashtë muajve. Transferimet e të dhënave në Kinë do të pezullohen nëse ky afat nuk përmbushet.

Komisioni Irlandez nisi hetimin në vitin 2021 si mbikëqyrësi kryesor i privatësisë në Evropë për kompaninë në pronësi të ByteDance.

Gjatë hetimit, TikTok tha se nuk i ruante të dhënat e përdoruesve të BE-së në servera të vendosur në Kinë, por mbikëqyrësi gjeti prova që e kundërshtonin këtë.

"TikTok e ka informuar Komisionin se të dhënat tani janë fshirë, por ne po shqyrtojmë se çfarë veprimesh të mëtejshme rregullatore mund të kërkohen, në konsultim me Autoritetet tona të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së," thuhet në deklaratën e organit kontrollues.

Por TikTok shtoi se "vendimi përqendrohet kryesisht në një periudhë të zgjedhur nga vitet e kaluara, para zbatimit të Projektit Clover në vitin 2023, iniciativës prej 12 miliardë eurosh për sigurinë e të dhënave".

"Ky vendim rrezikon të krijojë një precedent me pasoja të gjera për kompanitë dhe industri të tëra në të gjithë Evropën që operojnë në shkallë globale. Ai i jep një goditje konkurrueshmërisë së Bashkimit Evropian", theksoi platforma.

Nuk është hera e parë që TikTok është gjobitur nga rregullatorët e mbrojtjes së të dhënave. Platforma mori një gjobë prej 345 milionë eurosh në vitin 2023 për shkak se nuk arriti të mbronte privatësinë e fëmijëve.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat