Bota Postuar më 12 Mars 2025, 12:03

Tarifat e Trump për metalet hyjnë në fuqi - Kanadaja, Kina, Brazili janë vendet që ndikohen më shumë nga vendimi ri

Nga Kristi Ceta

Tarifat e Trump për metalet hyjnë në fuqi - Kanadaja, Kina,

Tarifat e Presidentit Donald Trump për të gjitha importet amerikane të çelikut dhe aluminit kanë hyrë në fuqi, në një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e tregtisë globale në favor të SHBA-së.

Veprimi i Trump për të rritur masat mbrojtëse për prodhuesit amerikanë të çelikut dhe aluminit rikthen tarifat efektive globale prej 25% për të gjitha importet e metaleve dhe i shtrin detyrimet në qindra produkte që përbëhen nga këto metale.

Që nga marrja e detyrës në janar, përqendrimi i Trump te tarifat ka tronditur besimin e investitorëve, konsumatorëve dhe bizneseve. Ekonomistët shqetësohen se mund të shkaktojnë një recesion në SHBA dhe probleme të mëtejshme në ekonominë globale.

Vendet më të prekura nga tarifat janë Kanadaja, furnizuesi më i madh i çelikut dhe aluminit në SHBA, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut, të cilat kanë gëzuar disa përjashtime apo kuota.

Trump fillimisht kërcënoi Kanadanë me dyfishimin e taksës në 50% për eksportet e saj të çelikut dhe aluminit në SHBA, por u tërhoq pasi provinca e Ontarios pezulloi një masë për të vendosur një shtesë prej 25% për eksportet e energjisë elektrike në shtetet e Minesotës, Miçiganit dhe Nju Jorkut.

Ky incident goditi tregjet financiare të SHBA-së, të shqetësuara për ofensivën e gjerë tarifore të Trump. Lëvizja u mirëprit nga prodhuesit amerikanë të çelikut pasi rivendosi tarifat origjinale të metaleve të Trump në vitin 2018, të cilat ishin dobësuar nga përjashtimet dhe kuotat e shumta të vendeve dhe mijëra përjashtime specifike për produkte të caktuara.

Përshkallëzimi i luftës tregtare SHBA-Kanada ndodhi ndërsa kryeministri Justin Trudeau përgatitet t'i dorëzojë pushtetin këtë javë pasardhësit të tij Mark Carney, i cili fitoi garën për udhëheqjen e Liberalëve fundjavën e kaluar.

Ministria kanadeze e Energjisë, tha se mund të vendosë masa jotarifore si kufizimi i eksporteve të naftës në SHBA ose vendosja e detyrimeve të eksportit për mineralet, nëse tarifat amerikane vazhdojnë.

Kanadaja, me burime të bollshme hidroenergjetike që e kanë bërë prodhimin primar të aluminit më efektiv ndaj kostove se në Shtetet e Bashkuara, ka krijuar një pozicion udhëheqës në tregun e aluminit në SHBA, pasi shkritoret amerikane të ringjallura dikur nga tarifat e Trumpit kanë humbur ritmin.

Kina mbetet furnizuesi numër dy i aluminit dhe mallrave të prodhuara nga alumini, por tashmë përballet me tarifa të larta për të kundërshtuar subvencionet e supozuara, si dhe një detyrim të ri prej 20% që Trump ka vendosur gjatë muajit të kaluar për trafikun e fentanilit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat