Bota Postuar më 31 Korrik 2025, 09:58

Tarifat e Trump favorizojnë Kanadanë dhe Meksikën - Prodhuesit amerikanë të çokollatës përballen me kosto më të larta se fqinjët

Nga Kristi Ceta

Tarifat e Trump favorizojnë Kanadanë dhe Meksikën - Prodhuesit

Tarifat tregtare të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, synojnë të nxisin prodhimin vendas. Por në industrinë e çokollatës, ato po bëjnë të kundërtën: po rrisin koston e importimit të kakaos dhe po dëmtojnë konkurrueshmërinë e fabrikave lokale kundrejt firmave kanadeze dhe meksikane që furnizojnë SHBA-në.

Sipas paktit të tregtisë së lirë Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada (USMCA), të cilin administrata Trump e ka konfirmuar se mbetet në fuqi, Kanadaja dhe Meksika mund të eksportojnë çokollatë në SHBA pa tarifa, pavarësisht se nga i kanë marrë inputet e tyre të kakaos, një bimë tropikale që nuk rritet në tokën amerikane.

Kanadaja gjithashtu përfiton nga tarifat zero për importet e kakaos së papërpunuar dhe gjysmë të përpunuar si gjalpi dhe pluhuri. Ndërsa Meksika kultivon kokrrat e veta, që do të thotë se fabrikat në veri dhe në jug të kufirit të SHBA-së mund të prodhojnë më lirë se ato vendase që tani duhet të paguajnë tarifa midis 10-25% për inputet e kakaos. Normat mund të rriten në 35% më 1 gusht.

Prodhuesi kryesor amerikan i çokollatës Hershey, i cili prodhon kryesisht në SHBA, por ka fabrika në Kanada dhe Meksikë, ka vlerësuar se do të përballet me 100 milionë dollarë kosto tarifore në tremujorin e tretë dhe të katërt nëse taksat mbeten në fuqi.

Të dhënat doganore tregojnë se eksportet e çokollatës së Kanadasë në SHBA u rritën me 10% në vëllim në pesë muajt deri në fund të majit, duke treguar se disa prodhues kanadezë po përfitojnë nga mundësia e krijuar nga tarifat.

Kompanitë që përfitojnë janë kryesisht prodhues kanadezë dhe meksikanë të çokollatës me kontratë. Këto firma prodhojnë çokollatë të papërpunuar, të cilës fabrikat amerikane i shtojnë përbërës dhe e shesin si produkt amerikan.

Tarifat, një shtyllë e agjendës ekonomike të Trump, vijnë në një kohë delikate për prodhuesit amerikanë të çokollatës. Konsumatorët tashmë po blejnë më pak, pasi kanë përthithur inflacionin dyshifror gjatë viteve të fundit. Çmimet janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivele rekord vitin e kaluar, dhe mbeten shumë mbi mesataret historike, për shkak të motit të pafavorshëm dhe sëmundjeve në prodhuesit kryesorë si Bregu i Fildishtë dhe Gana. Kakaoja përbën rreth 30-50% të kostos së një çokollate.

Tregu i çokollatës në SHBA, konsumatori më i madh në botë, vlen 25-30 miliardë dollarë dhe importet nga furnizuesi kryesor, Kanadaja, përbëjnë rreth 10% të këtij totali. Ndërsa importet nga furnizuesi i dytë më i madh, Meksika, përbëjnë rreth 2.5%.

 

Shqipëria 31 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan është blerë këtë të enjte me 84 lekë dhe është shitur me 85.5 lekë duke e mbyllur muajin në rritje sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat