Bota Postuar më 4 Qershor 2025, 12:35

Tarifat e dyfishuara për metalet hyjnë në fuqi - Masa e Trump godet veçanërisht Kanadanë dhe Meksikën

Nga Kristi Ceta

Tarifat e dyfishuara për metalet hyjnë në fuqi - Masa e Trump

Shtetet e Bashkuara dyfishuan tarifat për shumicën e importeve të çelikut dhe aluminit, duke përshkallëzuar më tej luftën tregtare globale. Masa vjen ndërsa Presidenti Trump pret që partnerët tregtarë të paraqesin ofertat më të mira për të shmangur tarifa të tjera në fillim të korrikut.

Keru i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos në fuqi njoftimin e tij të papritur të javës së kaluar se ai po i çonte tarifat për importet e çelikut dhe aluminit në 50% nga 25%.

"Ne filluam me 25% dhe pastaj pasi studiuam më shumë të dhënat. Kuptuam se ishte një ndihmë e madhe, por nevojitet më shumë ndihmë. Dhe kjo është arsyeja pse 50% fillon sot", thanë burimet zyrtare amerikane.

Rritja vlen për të gjithë partnerët tregtarë përveç Britanisë, i vetmi vend deri më tani që ka arritur një marrëveshje paraprake tregtare me SHBA-në gjatë një pauze 90-ditore për një gamë më të gjerë tarifash të Trump. Shkalla për importet e çelikut dhe aluminit nga Mbretëria e Bashkuar, e cila nuk renditet ndër eksportuesit kryesorë të asnjërit metal në SHBA, do të mbetet në 25% deri të paktën më 9 korrik.

Rreth një e katërta e të gjithë çelikut të përdorur në SHBA importohet, dhe të dhënat e Byrosë së Regjistrimit tregojnë se taksat e rritura do të godasin veçanërisht rëndë partnerët më të afërt tregtarë të SHBA-së, Kanadanë dhe Meksikën. Vendet janë përkatësisht nr. 1 dhe nr. 3 në vëllimet e dërgesave të çelikut në Shtetet e Bashkuara.

Kanadaja është edhe më e ekspozuar ndaj taksave të aluminit si eksportuesi kryesor në SHBA, me afërsisht dyfishin e vëllimeve të kombinuara të 10 eksportuesve kryesorë. Shtetet e Bashkuara marrin rreth gjysmën e aluminit total nga burime të huaja.

Burimet zyrtare kanadeze deklaruan se janë "të angazhuar në negociata intensive për të hequr këto dhe tarifa të tjera". Ministri i Ekonomisë i Meksikës, Marcelo Ebrard, përsëriti se tarifat ishin të paqëndrueshme dhe të padrejta, veçanërisht duke pasur parasysh se vendi importon më shumë çelik nga SHBA në raport me eksportet.

"Nuk ka kuptim që Shtetet e Bashkuara të vendosin një tarifë për një produkt për të cilin kanë një tepricë", tha ai, duke shtuar se vendi do të kërkojë një përjashtim nga masa.

Rritja e papritur e tarifave tronditi tregun për të dy metalet këtë javë, veçanërisht për aluminin, që është shtrenjtuar më shumë se dyfish këtë vit. Me pak kapacitet aktual për të rritur prodhimin vendas, vëllimet e importit mund të reduktohen vetëm nëse rritja e çmimeve ul kërkesën.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat