Bota Postuar më 6 Janar 2026, 12:19

Takime me kompanitë e naftës për Venezuelën - Administrata Trump, gati të rindërtojë infrastrukturën energjetike të vendit Latin

Nga Dorian Koça

Takime me kompanitë e naftës për Venezuelën - Administrata

Administrata e Presidentit Donald Trump po planifikon të takohet me drejtuesit e kompanive amerikane të naftës më vonë këtë javë për të diskutuar rritjen e prodhimit të naftës venezueliane pasi forcat amerikane rrëzuan udhëheqësin e saj Nicolas Maduro.

Takimet janë thelbësore për shpresat e administratës që të rikthejë kompanitë kryesore të naftës amerikane në vendin e Amerikës së Jugut, pasi qeveria e saj, gati dy dekada më parë, mori kontrollin e operacioneve energjetike të udhëhequra nga SHBA-të atje.

Tre kompanitë më të mëdha të naftës në SHBA, Exxon Mobil, ConocoPhillips dhe Chevron deri tani nuk kanë pasur asnjë bisedë me administratën në lidhje me rrëzimin e Maduros.

Takimet e ardhshme do të jenë vendimtare për shpresat e administratës për të rritur prodhimin dhe eksportet e naftës bruto nga Venezuela, një ish-vend i OPEC-ut që ndodhet në krye të rezervave më të mëdha në botë dhe prodhimi i së cilës mund të përpunohet nga rafineritë e projektuara posaçërisht në SHBA. Arritja e këtij qëllimi do të kërkojë vite pune dhe miliarda dollarë investime, thonë analistët.

Nuk është e qartë se cilët drejtues do të marrin pjesë në takimet e ardhshme dhe nëse kompanitë e naftës do të marrin pjesë individualisht, apo kolektivisht. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi takimet, por tha se besonte që industria amerikane e naftës ishte gati të zhvendosej në Venezuelë.

“Të gjitha kompanitë tona të naftës janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime të mëdha në Venezuelë që do të rindërtojnë infrastrukturën e tyre të naftës, e cila u shkatërrua nga regjimi i paligjshëm i Maduros”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Më pare, Trump kishte deklaruar se SHBA-të mund të subvencionojnë kompanitë e naftës për t'i mundësuar atyre të rindërtojnë infrastrukturën energjetike të Venezuelës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat