Bota Postuar më 29 Korrik 2025, 10:07

“Stablecoins kërcënojnë autonominë e Evropës”/ BQE: Ndikimi i dollarit mbi kriptoasetet rrit varësinë gjeopolitike nga SHBA

Nga Kristi Ceta

“Stablecoins kërcënojnë autonominë e

Dominimi i hershëm i dollarit mbi monedhat e qëndrueshme (stablecoins) i jep SHBA-së një avantazh që mund të rrisë kostot e huamarrjes për Evropën, të zvogëlojë autonominë e Bankës Qendrore Evropiane dhe të rrisë varësinë gjeopolitike nga SHBA, argumentoi një postim në blogun e BQE-së.

Monedhat e qëndrueshme, asete kripto të lidhura me dollarin, kanë fituar popullaritet vitet e fundit. Ato morën një shtysë të madhe në fillim të këtij muaji, kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një ligj për të krijuar një regjim rregullator, që synon të forcojë statusin e dollarit si monedha rezervë globale.

"Një dominim i tillë i dollarit amerikan do t'u siguronte Shteteve të Bashkuara avantazhe strategjike dhe ekonomike, duke i lejuar vendit të financojë borxhin e saj më lirë, ndërsa ushtron ndikim global", thanë burime nga BQE.

"Për Evropën, kjo nënkupton kosto më të larta financimi në krahasim me Shtetet e Bashkuara, autonomi të reduktuar të politikës monetare dhe varësi gjeopolitike", shpjeguan burimet. Sipas tyre, nëse monedhat e qëndrueshme me bazë dollarin përdoren gjerësisht në zonën e euros për pagesa, kursime ose shlyerje, kontrolli i BQE-së mbi kushtet monetare mund të dobësohet.

Monedhat e qëndrueshme të lidhura me dollarin, të prezantuara nga Tether dhe Circle, kanë dominuar tregun global, ndërsa pjesa e këtyre aseteve të lidhura me euron mbetet e vogël, me kapitalizim tregu më pak se 350 milionë euro.

Ndaj Evropa duhet të veprojë shpejt, duke krijuar versionin digjital të monedhës së saj, një projekt që po pengohet nga vonesat legjislative, si dhe duhet të nxisë krijimin e më shumë monedhave të qëndrueshme me bazë euron.

BE duhet gjithashtu të përshpejtojë pagesat dhe të ulë kostot ndërkufitare. Së fundmi, një koordinim më i fortë global mbi rregullimin e monedhave të qëndrueshme është thelbësor," u shprehën zyrtarët. "Nëse heqim dorë nga një qasje e përbashkët, rrezikojmë të nxisim paqëndrueshmëri, arbitrazh rregullator dhe dominim global të dollarit amerikan," argumentuan ata.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat