Bota Postuar më 3 Korrik 2025, 12:41

Si po i tejkalon Kina gjigantët evropianë të makinave? - Markat kineze kanë shkurtuar ndjeshëm kohën e prodhimit dhe rimodelimit

Nga Kristi Ceta

Si po i tejkalon Kina gjigantët evropianë të makinave? - Markat

Prodhuesit kinezë kanë ndryshuar rrënjësisht industrinë e automobilave, duke kontrolluar tregun global. Ata kanë gjetur mënyra për të zhvilluar modele të reja brenda një kohe shumë të shkurtët, duke lënë pas rivalët evropianë.

Në tetor 2023, kompania kineze e makinave Chery organizoi në kohë rekord modifikimin e modelit të saj Omoda 5 SUV për tregun evropian, duke e përshtatur veturën për rrugët e vështira dhe me probleme të Evropës. Procesi, që zgjati vetëm pak javë, është i pakonceptueshëm për prodhuesit evropianë, të cilët përmirësimet e tilla i zhvillojnë në më shumë se një vit, për shkak të niveleve të larta të burokracisë.

Ky shembull reflekton shpejtësinë dhe fleksibilitetin që po tregojnë prodhuesit kinezë, duke marrë nën kontroll tregun global e duke e sfiduar Gjermaninë, SHBA-në dhe Japoninë. Kina po shfrytëzon një avantazh të madh në zhvillimin e makinave, duke reduktuar ndjeshëm kohën për të krijuar modele të reja ose për t’i ripërpunuar ato, nga mesatarja prej rreth 5 vjetësh që kanë kompanitë perëndimore, në vetëm 18 muaj. Kjo shpejtësi e jashtëzakonshme ka tronditur prodhuesit tradicionalë, të cilët janë mësuar me cikle rimodelimi shumë më të gjata.

Kompania BYD, lideri kinez dhe prodhuesi më i madh i makinave në vend, ka përshpejtuar proceset e prodhimit, duke përdorur një forcë punëtore prej rreth 900,000 njerëzish dhe duke prodhuar vetë shumicën e pjesëve. Kjo i jep BYD mundësi për të ulur koston dhe për të qenë më fleksibël.

Në vitin 2024, si BYD ashtu edhe Chery shënuan rritje prej rreth 40% në shitjet globale, ndërkohë që Tesla, udhëheqësi amerikan i automjeteve elektrike, regjistroi rënie për shkak të mungesës së modeleve të reja dhe polemikave në lidhje me CEO-n Elon Musk.

Nga viti 2020 deri në 2024, prodhuesit e huaj të makinave në Kinë si Volkswagen, Toyota dhe General Motors humbën miliona shitje, ndërsa pesë prodhuesit kryesorë kinezë dyfishuan shitjet në më shumë se 9.5 milionë makina.

Për të përballuar sfidën, shumë kompani globale kanë filluar partneritete me prodhues kinezë, duke u përpjekur të mësojnë nga modelet e tyre të shpejta të zhvillimit. Deri para disa vitesh, industria kineze shpesh kopjonte modelet e huaja, por tani po krijon mënyra më të shpejta dhe më efektive, duke hequr verifikimet e tepërta që e ngadalësojnë procesin.

Kjo përparësi në shpejtësi dhe fleksibilitet ka vënë në vështirësi gjigantët e industrisë si General Motors, Volkswagen dhe Tesla, të cilët nuk janë përshtatur ende me realitetin e ri të industrisë automobilistike.

 

Live TV

Të fundit
Shqipëria 4 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë negativisht duke vijuar edhe këtë të premte të humbasë pikë pasi është blerë këtë mëngjes me 82.6 lekë dhe është......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 4 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë negativisht duke vijuar edhe këtë të premte të humbasë pikë pasi është blerë këtë mëngjes me 82.6 lekë dhe është......