Bota Postuar më 20 Nëntor 2025, 09:51

Shtetet e pasura po tërhiqen nga zhvillimi global - Studimi: Reduktohen ndihmat financiare. Në fokus, forcimi i mbrojtjes

Nga SCAN TV

Shtetet e pasura po tërhiqen nga zhvillimi global - Studimi: Reduktohen

Shumë nga vendet më të pasura të botës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, po tërhiqen nga angazhimet e tyre për zhvillim global, sipas një studimi të publikuar së fundmi.

Indeksi i Angazhimit ndaj Zhvillimit vlerëson 38 ekonomitë më të mëdha bazuar në më shumë se 100 tregues, për të analizuar se si politikat e tyre ndikojnë vendet më të varfra në fusha si financimi i zhvillimit, investimet, emigracioni, tregtia, mjedisi, shëndetësia, siguria dhe teknologjia.

Suedia, Gjermania, Norvegjia dhe Finlanda mbajtën vendet e tyre në krye të renditjes, që publikohet çdo dy vjet nga Qendra për Zhvillimin Global. Mbretëria e Bashkuar u ngjit me dy vende duke u renditur e pesta, por kjo bazohet në të dhëna para shpalljes së shkurtimit prej 40% të ndihmës së jashtme.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara ranë me dy pozicione duke u renditur në vendin e 28-të. Megjithatë, kjo nuk pasqyron miliardat e dollarëve të shkurtuar nga fondet e ndihmës që prej ardhjes në pushtet të Donald Trump.

Renditja publikohet teksa Afrika e Jugut po përgatitet të presë këtë fundjavë samitin e G20, ku do t’u dorëzojë presidencën Shteteve të Bashkuara. Trump, i cili ka shkurtuar buxhetin e ndihmës së jashtme të SHBA-së dhe ka mbyllur USAID më herët këtë vit, nuk do të marrë pjesë në samitin e parë të G20-s në Afrikë. Ndihma dhe financimi i zhvillimit janë reduktuar nga shumë ekonomi, në favor të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

Megjithatë, në indeks u reflektuan edhe disa aspekte pozitive. Më shumë se tre të katërtat e vendeve ulën emetimet e tyre gjatë viteve 2019–2023, edhe pse zgjerimi në Kinë e ngriti nivelin global. Gjithashtu, më shumë vende kanë pranuar emigrantë dhe refugjatë. Por raporti theksoi se, pavarësisht përmirësimeve në emigracion apo mjedis, trendi i përgjithshëm është negativ, pasi eksportet e armëve, barrierat tregtare dhe subvencionet për karburantet fosile janë në rritje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat