Bota Postuar më 14 Gusht 2025, 10:33

Shitjet globale të makinave elektrike ngadalësohen - Rriten me 21% në korrik. Kina, faktori kryesor që frenoi ritmin

Nga Kristi Ceta

Shitjet globale të makinave elektrike ngadalësohen - Rriten me 21%

Shitjet globale të automjeteve elektrike u zgjeruan me 21% në korrik, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar normën më të ulët të rritjes që nga janari. Të dhënat vijnë nga firma kërkimore e tregut Rho Motion.

Kina është tregu më i madh i makinave në botë dhe përfaqëson më shumë se gjysmën e shitjeve globale të automjeteve elektrike, që përfshijnë si modelet me bateri, ashtu edhe ato hibride të karikueshme. Rritja e përgjithshme e shitjeve të makinave në Kinë u ngadalësua gjatë korrikut, me kompaninë BYD, prodhuesin më të madh të automjeteve elektrike në botë, që regjistroi rënien e tretë mujore të regjistrimeve.

Megjithatë, ngadalësimi relativisht i butë në shitjet totale tregon se tregje të tjera po e kompensojnë pjesërisht këtë rënie, me Evropën që ka përfituar nga subvencionet që synojnë përshpejtimin e dekarbonizimit.

Sipas të dhënave, shitjet globale të automjeteve elektrike me bateri dhe hibride të karikueshme u rritën në 1.6 milionë njësi në korrik.

Në Kinë, rritja e këtyre shitjeve, që mesatarisht ishte 36% në muaj gjatë gjysmës së parë të vitit, ra në vetëm 12% në korrik. Kjo rënie erdhi pasi disa nga skemat e subvencionimit të qeverisë për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride u pezulluan përkohësisht, shpjegojnë ekspertët e sektorit. Në total, në shtetin aziatik u shitën rreth një milion automjete.

Në Evropë, shitjet u zgjeruan me 48%, duke arritur rreth 390,000 njësi, ndërsa në Amerikën e Veriut pati një rritje prej 10%, me më shumë se 170,000 njësi të shitura.

Sipas analistëve, pritet që regjistrimet e makinave në Kinë të rifillojnë rritjen e fuqishme duke nisur nga gushti, me rinisjen e financimeve për skemat e subvencioneve. Ndërkohë, ulja e kredive tatimore në SHBA për blerjen ose marrjen me qira të automjeteve elektrike, pritet të ndikojë dëmtojë kërkesën amerikane.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...