Bota Postuar më 9 Tetor 2025, 10:15

SHBA “tkurr” fondet e OKB - Organizata do të shkurtojë 25% të forcës globale paqeruajtëse, 15% të buxhetit

Nga Kristi Ceta

SHBA “tkurr” fondet e OKB - Organizata do të shkurtojë 25%

Organizata e Kombeve të Bashkuara do të nisë shkurtimin e forcave dhe operacioneve të saj të paqeruajtjes, duke detyruar mijëra ushtarë të tërhiqen nga zonat e rrezikshme nëpër botë. Këto shkurtime vijnë si pasojë e reduktimeve të fundit në financimin e OKB-së nga Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh i organizatës.

Një zyrtar i lartë, që foli në kushte anonimiteti, informoi gazetarët se rreth 25% e forcës paqeruajtëse do të shkurtohet gjatë muajve në vijim. Ai deklaroi se OKB u detyrua të marrë këtë vendim, pasi Uashingtoni po bën ndryshime që reflektojnë politikën e presidentit amerikan Donald Trump, “America First” (Amerika e Para). Pritet që 13,000 deri në 14,000 trupa ushtarake dhe policore, nga më shumë se 50,000 paqeruajtës të dislokuar në nëntë misione globale, të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

OKB planifikon të ulë buxhetin e forcave të paqeruajtjes me rreth 15% për vitin e ardhshëm fiskal, duke ndikuar misione të rëndësishme dhe afatgjata. Aktualisht, misionet e paqeruajtjes janë aktive në vende si Kongo, Republika e Afrikës Qendrore, Sudani i Jugut, Libani, Qipro dhe Kosova. Çdo shtet anëtar i organizatës ka për detyrë ligjore të kontribuojë financiarisht për paqeruajtjen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se me një buxhet që përfaqëson “një pjesë shumë të vogël të shpenzimeve ushtarake globale, rreth gjysmë përqind, paqeruajtja e institucionit mbetet një nga mjetet më efektive dhe me kosto të ulët për të ndërtuar paqe dhe siguri ndërkombëtare.”

Në fillim të mandatit të tij të dytë në janar, Presidenti Trump urdhëroi një rishikim të funksionimit të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, çka çoi në shkëputjen e fondeve amerikane nga agjencia kulturore UNESCO, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të kontribuojnë 680 milionë dollarë për nëntë misione paqeruajtjeje, një rënie e ndjeshme nga 1 miliard dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat