Bota Postuar më 26 Shtator 2025, 09:27

SHBA, tarifa për barnat dhe kamionët - Masat synojnë të mbrojnë prodhuesit vendas nga importet masive

Nga Kristi Ceta

SHBA, tarifa për barnat dhe kamionët - Masat synojnë të

Presidenti Donald Trump ka shpallur një raund të ri tarifash ndëshkuese mbi një gamë të gjerë mallrash të importuara, duke thënë se SHBA do të vendosë tarifa 100% për barnat, taksa 25% për kamionët e rëndë dhe 50% për mobiliet e kuzhinës.

Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka nisur disa hetime për sigurinë kombëtare që synojnë vendosjen e tarifave të reja për produkte të ndryshme, duke krijuar pasiguri në ekonominë globale dhe duke bllokuar vendimmarrjen e bizneseve.

Ai gjithashtu tha se nga java e ardhshme do të vendoset tarifë 50% për pajisjet e banjës dhe 30% për mobiliet e mbuluara me stof, me të gjitha masat e reja që do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.

Tarifa e re 100% për çdo produkt farmaceutik marke ose të patentuar do të aplikohet për të gjitha importet, përveçse nëse kompania ka filluar tashmë ndërtimin e një fabrike prodhimi në Shtetet e Bashkuara, tha Trump.

Ai shtoi se masat e reja për kamionët e rëndë kanë për qëllim të mbrojnë prodhuesit vendas nga “konkurrenca e padrejtë nga jashtë” dhe se nga kjo lëvizje do të përfitojnë kompani si Peterbilt, Kenworth si dhe Freightliner.

Tarifat e reja për kuzhinat, banjat dhe disa lloje mobiliesh u vendosën nga Trump për shkak të niveleve shumë të larta të importeve që, sipas tij, po dëmtojnë prodhuesit vendas. “Arsyeja për këtë është “përmbytja” në shkallë të gjerë e këtyre produkteve në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera,” shkroi Trump në Truth Social.

Shoqata Amerikane e Prodhuesve të Barnave është shprehur kundër tarifave të reja për barnat, duke thënë më herët këtë vit se 53% e përbërësve të barnave me vlerë 85.6 miliardë dollarë që përdoren në SHBA prodhohen brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër vjen nga Evropa dhe aleatë të tjerë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka bërë thirrje Departamentit që të mos vendosë tarifa të reja për kamionët, duke theksuar se pesë vendet kryesore eksportuese të këtyre automjeteve janë Meksika, Kanadaja, Japonia, Gjermania dhe Finlanda, të gjitha aleatë ose partnerë të ngushtë të SHBA-së, që nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Meksika është eksportuesi më i madh i kamionëve të mesëm dhe të rëndë në SHBA. Një studim i publikuar në janar tregoi se importet e këtyre automjeteve nga Meksika janë trefishuar që nga viti 2019.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat