Bota Postuar më 2 Tetor 2025, 10:31

SHBA shtyn sanksionet ndaj Serbisë - I jep kohë kompanisë së naftës NIS të operojë deri më 8 tetor

Nga Kristi Ceta

SHBA shtyn sanksionet ndaj Serbisë - I jep kohë kompanisë së

Departamenti Amerikan i Thesarit ka dhënë një licensë të veçantë që shtyn zbatimin e plotë të sanksioneve ndaj kompanisë së naftës NIS, e cila është në pronësi ruse dhe operon në Serbi. Kjo masë i lejon firmës të vazhdojë aktivitetin deri më 8 tetor. NIS menaxhon të vetmen rafineri të naftës në këtë vend të Ballkanit.

Zyra e Thesarit Amerikan për Kontrollin e Aseteve të Huaja vendosi fillimisht sanksione ndaj sektorit të naftës ruse më 10 janar, duke i dhënë kompanisë Gazprom Neft 45 ditë kohë për të hequr dorë nga pronësia e NIS.

Që atëherë, zbatimi i sanksioneve është shtyrë disa herë, por javën e kaluar SHBA njoftoi se sanksionet do të hynin në fuqi më 1 tetor.

NIS, ku aksionerë kryesorë janë Gazprom Neft me 44.9%, Gazprom me 11.3% dhe qeveria serbe me 29.9%, operon rafinerinë e vetme në Serbi, e vendosur në qytetin Pancevo, pranë Beogradit.

Objekti ka një kapacitet vjetor prej 4.8 milionë tonësh dhe përmbush shumicën e nevojave të vendit. Sanksionet mund të rrezikojnë furnizimin me naftë bruto përmes kompanisë kroate JANAF. Firma kroate bëri të ditur se ka leje për të transportuar naftë bruto për NIS deri më 8 tetor.

“Në ditët në vijim, JANAF, përmes avokatit të saj amerikan dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, do t’i drejtohet Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja me qëllim zgjatjen e licensës së përmendur,” thuhet në deklaratë.

“Mundësia për të zgjatur licensën pas datës 8 tetor 2025 do të varet kryesisht nga veprimet që do të ndërmarrë kompania NIS ndaj institucioneve kompetente amerikane,” deklaroi firma.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat