Bota Postuar më 3 Dhjetor 2024, 11:57

SHBA, lider global për “IA” - Kalon Kinën për investime në këtë sektor, Britania renditet e treta

Nga Kristi Ceta

SHBA, lider global për “IA” - Kalon Kinën për

SHBA kryeson botën në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, duke tejkaluar Kinën në kërkime dhe masa të tjera që lidhen me inovacionin e inteligjencës artificiale, sipas një indeksi të Universitetit Stanford.

Edhe pse nuk ka një mënyrë të sigurt për të renditur lidershipin global në këtë sektor, studiuesit kanë bërë një përpjekje duke matur industrinë në dimensione të ndryshme. Sipas mjetit Global Vibrancy të institutit, që analizoi të dhënat e vitit 2023 mbi ekosistemet e 36 vendeve, u grumbulluan 42 tregues specifikë për të përcaktuar se cilat shtete janë udhëheqëse në teknologjinë inovative.

SHBA ka mbajtur vazhdimisht kreun e renditjes që nga viti 2018 kur kapërceu Kinën. Sipas raportit, Uashingtoni ka tejkaluar Pekinin në investimet private të inteligjencës artificiale, të cilat arritën në 67.2 miliardë dollarë në SHBA vitin e kaluar, krahasuar me 7.8 miliardë dollarë në vendin aziatik. Nuk është për t'u habitur që shtëpia e fuqive komerciale të inteligjencës artificiale si Google dhe Meta, së bashku me forcat e reja si OpenAI dhe Anthropic, ka prodhuar shumë modele që kanë ndikuar në zhvillimin dhe aplikimin e teknologjisë.

Ndërkohe, Kina ka kërkuar më shumë patenta se çdo vend tjetër në lidhje me inteligjencën artificiale gjeneruese, tha agjencia e pronësisë intelektuale e OKB-së. Studiuesit e Stanford-it e llogaritën këtë si një masë të rritjes së fortë të Kinës, por jo të mjaftueshme për të udhëhequr renditjen. Megjithatë, raporti thotë se “Fokusi i Kinës në zhvillimin e teknologjive më të avancuara të inteligjencës artificiale dhe rritjen e investimeve në kërkim dhe zhvillim e ka pozicionuar atë lart në klasifikim”.

Në vendin e tretë gjejmë Britaninë e Madhe, e cila gjithashtu ka pasur performancë të lartë në kërkim, zhvillim dhe infrastrukturë arsimore, për shkak të universiteteve më të mira të shkencave kompjuterike që krijojnë fuqi punëtore të përshtatshme për teknologjinë.

Pas Mbretërisë së Bashkuar renditet India, falë një "komuniteti të fortë kërkimor në këtë sektor", përmirësimeve në investimet ekonomike dhe një diskursi të fortë publik në mediat sociale. Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen një pozicion më poshtë, si një nga vendet kryesore për investimet në teknologjinë inovative. Në dhjetëshen e parë gjejmë edhe Francën, që renditet në vendin e gjashtë, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Gjermania, Japonia dhe Singapori.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat