Bota Postuar më 24 Tetor 2025, 09:45

SHBA konfirmon takimin Trump-Xi Jinping - Udhëheqësit do të takohen javën e ardhshme në Korenë e Jugut

Nga Kristi Ceta

SHBA konfirmon takimin Trump-Xi Jinping - Udhëheqësit do të

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet javën e ardhshme me liderin e Kinës, Xi Jinping, si pjesë e turit në Azi, njoftoi Shtëpia e Bardhë, duke konfirmuar takimin që ishte vënë në dyshim pas përshkallëzimit të tensioneve tregtare.

Trump do të niset për në Malajzi të premten dhe do të vizitojë gjithashtu Japoninë dhe Korenë e Jugut, ku do të takohet me Xi të enjten e ardhshme, pas fjalës së tij në Samitin e Drejtorëve Ekzekutivë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

“Të enjten në mëngjes, me orën lokale, Presidenti Trump do të zhvillojë një takim dypalësh me Presidentin Xi të Republikës Popullore të Kinës, përpara se të niset për në SHBA,” thuhet në deklaratë.

Një luftë tregtare SHBA–Kinë, e cila kishte qenë në zhvillim për muaj të tërë, shpërtheu në muajin tetor, pasi Pekini zgjeroi ndjeshëm kufizimet për eksportet e mineraleve të rralla. Trump kërcënoi me tarifa dhe masa të tjera hakmarrëse, por kohët e fundit është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën.

“Mendoj se do të arrijmë një rezultat shumë të mirë dhe të gjithë do të jenë të kënaqur,” tha Trump për takimin. Ai tha se pyetja e parë që do t’i bëjë udhëheqësit kinez do të jetë për çështjen e fentanilit.

Uashingtoni e akuzon Pekinin se nuk ka arritur të ndalojë rrjedhën e kimikateve që përdoren për prodhimin e fentanilit, një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga mbidoza në SHBA. Nga ana e saj, Kina ka mbrojtur qëndrimin e vet dhe ka akuzuar Uashingtonin se po përdor çështjen e fentanilit për ta “shantazhuar” politikisht.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat