Bota Postuar më 11 Qershor 2025, 09:56

SHBA dhe Kina arrijnë marrëveshje tregtare - Vendet synojnë të forcojnë besimin dypalësh pas bisedimeve në Londër

Nga Kristi Ceta

SHBA dhe Kina arrijnë marrëveshje tregtare - Vendet synojnë

Kina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord në parim për zbatimin e konsensusit të arritur nga krerët e të dy shteteve gjatë telefonatës së tyre më 5 qershor.

Zëvendësministri kinez i Tregtisë Li Chenggang, i cili është gjithashtu përfaqësuesi i tregtisë ndërkombëtare për shtetin aziatik, deklaroi paktin pas takimit të palëve në Londër.

"Gjatë dy ditëve të fundit, ekipet kineze dhe amerikane kanë realizuar bisedime të shumta. Komunikimi ynë ka qenë shumë profesional, racional, i thellë dhe i sinqertë. Të dyja palët ranë dakord në parim mbi kornizën për zbatimin e konsensusit të të dy krerëve të shteteve në telefonatën e tyre më 5 qershor, si dhe konsensusin e takimit në Gjenevë", tha ai.

Li shpreosn se progresi i arritur në Londër do të ndihmojë në forcimin e besimit midis dy kombeve dhe do të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të lidhjeve të tyre ekonomike dhe tregtare.

"Të dyja palët do të sjellin dhe do t'u raportojnë udhëheqësve tanë përkatës rezultatin e bisedimeve në takim, si dhe kuadrin që u arrit në parim. Shpresojmë që progresi të promovojë më tej zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike Kinë-SHBA, si dhe të injektojë energji pozitive në zhvillimin ekonomik botëror", tha ai.

Pas bisedimeve në Gjenevë muajin e kaluar, dy ekonomitë më të mëdha në botë ranë dakord të ulin përkohësisht tarifat treshifrore, por ndalimi i përkohshëm pritet të skadojë në fillim të gushtit.

Një telefonatë midis Presidentit Kinez Xi Jinping dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump javën e kaluar hapi rrugën për këtë raund bisedimesh tregtare të nivelit të lartë.

"Mendoj se të dyja palët kishin një shtysë më tepër për të arritur rezultate, me presidentët tanë që na nxisin të kujdesemi për shtetet përkatëse", tha Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat