Bota Postuar më 16 Gusht 2025, 11:11

Robotët zbresin në fushë - Humanoidët garojnë në sporte të ndryshme dhe sfida teknologjike

Nga Kristi Ceta

Robotët zbresin në fushë - Humanoidët garojnë

Kina çeli “Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë”, një event treditor që synon të tregojë përparimin në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, me pjesëmarrjen e 280 ekipeve nga 16 shtete të ndryshme.

Robotët garuan në sporte të ndryshme si atletikë dhe pingpong, por edhe në sfida të veçanta për robotët, duke përfshirë ndarjen e ilaçeve, trajtimin e materialeve dhe shërbimet e pastrimit. Ekipet pjesëmarrëse vinin nga vende si Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Brazili, me 192 grupe nga universitetet dhe 88 nga kompani private, si firmat kineze Unitree dhe Fourier Intelligence. Robotët e përdorur ishin prodhime të kompanive kineze.

“Ne vijmë këtu për të luajtur dhe për të fituar, por na intereson edhe kërkimi shkencor,” tha një anëtar i ekipit gjerman nga Universiteti i Shkencave në Leipzig. “Këtu mund të testosh shumë qasje interesante dhe të reja. Nëse diçka nuk funksionon, ne humbim ndeshjen. Është për të ardhur keq, por më mirë se të investosh shumë para në një produkt që dështon,” u shpreh ai.

Gjatë lojërave në Pekin, për të cilat biletat kushtonin nga 17 deri në 80 dollarë amerikanë, robotët përplaseshin mes tyre dhe rrëzoheshin shpesh gjatë ndeshjeve të futbollit dhe në disiplinat e vrapimit.

Pavarësisht rënieve të shpeshta që kërkonin ndërhyrje njerëzore për t’i ngritur, shumë humanoidë arritën të ngriheshin vetë, duke fituar duartrokitjet e publikut.

Organizatorët thanë se këto lojëra ofrojnë mundësi të vlefshme për mbledhjen e të dhënave, që do të ndihmojnë në zhvillimin e robotëve për përdorim praktik, si për shembull në fabrikat e prodhimit. Sipas komentuesve, ndeshjet e futbollit ndihmojnë në stërvitjen e aftësive të koordinimit të robotëve, një cilësi e rëndësishme për operacionet në linjat e montimit, ku kërkohet bashkëpunim mes njësive të ndryshme.

Kina po investon miliarda dollarë për robotikën dhe robotët humanoidë, në përpjekje për të përballuar plakjen e popullsisë dhe për të qëndruar konkurruese ndaj Shteteve të Bashkuara në fushën e teknologjive të avancuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat