Bota Postuar më 12 Qershor 2025, 13:15

Revolucioni i “paprecedentë” i IA - Studimi: Teknologjia e re po përhapet me ritme historike

Nga Kristi Ceta

Revolucioni i “paprecedentë” i IA - Studimi: Teknologjia e re

Rritja e inteligjencës artificiale në jetën tonë është zyrtarisht e paprecedentë, sipas të dhënave të fundit. Një raport prej 340 faqesh tregoi ritmin e shpejtë të ndryshimit dhe zgjerimin e investimeve.

Një nga grafikët e raportit tregon se ChatGPT i OpenAI, arriti 800 milionë përdorues deri në prill 2025, disa vjet pas lançimit të tij në tetor 2022. Të ardhurat e kompanisë gjithashtu u rritën në mënyrë të ngjashme; nga zero në 3.5 miliardë euro në vitin 2025.

Bazuar në të dhënat e përdoruesve, rritja e ChatGPT, në veçanti, është "suksesi i madh" më i shpejtë në histori, nëntë vjet pasi kompania u themelua në fund të vitit 2015.

"Ndryshe nga revolucioni i internetit 1.0, ku teknologjia filloi në SHBA dhe u përhap më pas globalisht, ChatGPT doli në skenën botërore menjëherë duke u rritur në shumicën e rajoneve botërore njëkohësisht", shpjegon raporti. Ai arriti 100 milionë përdorues globalë në më pak se 2 muaj pas lançimit, teknologjia më e shpejtë që realizoi diçka të tillë. Për krahasim, Facebook-ut iu deshën 4.5 vjet për të arritur të njëjtin numër përdoruesish pas lançimit.

Sipas parashikimeve, do të duhen tre vjet që shumica e familjeve të përvetësojnë teknologjinë e re, nga 12 vitet që iu deshën njerëzve për të nisur përdorimin e rregullt të internetit.

Ekzitojnë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në rritjen “e shpejtë dhe transformuese” të inteligjencës artificiale. Së pari, ajo gëzon mbështetjen e gjerë nga themeluesit e kompanive të reja, si dhe nga ato më tradicionale, që demonstrohet nga investimet e larta për teknologjinë inovatore.

Raporti vëren se gjigantët e teknologjisë, duke përfshirë NVIDIA, Google, Meta, Microsoft dhe Baidu të Kinës, kanë shtuar fokusin në këtë sektor që nga viti 2022.

Gjithashtu, numri i modeleve të reja të inteligjencës artificiale është rritur me 167 përqind vit pas viti që nga 2020, ndërsa sasia e të dhënave që ata përdorin është zgjeruar me 260 përqind në të njëjtën periudhë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është ulja e kostove për zhvillimin e modeleve të reja. Shpenzimet për ata që përdorin teknologjinë kanë rënë me 99% gjatë dy viteve, edhe pse kostot e trajnimit të një modeli shkojnë deri në 1 miliard dollarë.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat