Bota Postuar më 19 Shkurt 2025, 10:16

Qendrat e të dhënave “kërcënojnë” tranzicionin energjetik - Kërkesa e lartë mund të rrisë emetimet me 121 mln ton në 6 vitet e ardhshme

Nga Kristi Ceta

Qendrat e të dhënave “kërcënojnë”

Zgjerimi i pritshëm i qendrave të të dhënave në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar mund të rrisë ndjeshëm emetimet nëse ato mbështeten në lëndët djegëse fosile, sipas një raporti të ri nga Beyond Fossil Fuels. Organizata rekomandon sigurimin e furnizimit me energji vetëm nga projektet e reja të energjisë së rinovueshme dhe jo nga ato ekzistuese, për të lehtësuar presionin mbi kërkesën në rritje.

Qendrat e reja të të dhënave që përdorin burime të rinovueshme pa rritur prodhimin e përgjithshëm të energjisë së gjelbër, mund të detyrojnë sektorë të tjerë kritikë të kthehen te karburantet fosile.

Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, kërkesa në rritje për energji e shkaktuar nga këto qendra në BE mund të nxisë një rritje prej 121 milionë tonësh në emetimet e dioksidit të karbonit. Është pothuajse e barabartë me të gjitha termocentralet e gazit në Itali, Gjermani dhe Britaninë e Madhe së bashku. Në një realitet alternativ, ku zgjerimi mbështetet vetëm në energjinë e rinovueshme të planifikuar, vetëm qendrat e të dhënave do të konsumonin pothuajse 20% të burimeve të reja të rinovueshme të BE-së deri në vitin 2030.

Raporti zbulon dy opsione për furnizimin e impianteve. Në të parin, 61% do të mbulohet nga gazi fosil dhe pjesa tjetër nga energjia e gjelbër, ndërsa sipas variantit të dytë, do të realizohet 100% nga burimet e rinovueshme. Autorët argumentojnë se energjia tradicionale bërthamore nuk do të ishte e disponueshme në shkallën, shpejtësinë dhe kostot e nevojshme.

Inteligjenca artificiale është një faktor kryesor që nxit zgjerimin global të këtyre impianteve. Një projeksion tregon se tregu evropian i qendrave të të dhënave, i vlerësuar në 42.98 miliardë dollarë në vitin 2023, pritet të arrijë në 64.5 miliardë dollarë deri në vitin 2029.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat