Bota Postuar më 18 Mars 2026, 09:52

Prodhuesit e naftës në kërkim të rrugëve alternative - Irani mban mbyllur transportet nga Ngushtica e Hormuzit

Nga SCAN TV

Prodhuesit e naftës në kërkim të rrugëve alternative -

Irani vazhdon të mbajë peng pothuaj të gjitha transportet detare përmes Ngushticës së Hormuzit, pika e kalimit për rreth 20% të furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror. Me bllokimin praktik të Hormuzit, eksportuesit e Gjirit po i zhvendosin rrjedhat e naftës në tubacione që anashkalojnë ngushticën. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dërgesat përmes këtyre rrugëve alternative po rriten vazhdimisht. 

Arabia Saudite po rrit me shpejtësi flukset nëpërmjet tubacionit të saj Lindje-Perëndim drejt portit të Yanbusë në Detin e Kuq, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe po rrisin eksportet nëpërmjet tubacionit që lidh fushat në tokë me portin e Gjirit të Omanit.

Sipas Raportit të Marsit të Tregut të Naftës, rrjedhat në tubacionin Lindje-Perëndim janë rritur nga 1.7 milion fuçi në ditë në vitin 2025 në një eksport rekord ditor prej 5.9 milion fuci në ditë. Emiratet e Bashkuara Arabe po ndërmarrin një veprim të ngjashëm. Agjencia e Energjisë raporton se rrjedha përmes tubacionit që con naftën në Gjirin e Omanit, është dyfishuar krahasuar me kapacitetin që kishte para krizës.

Ndërsa vendet e Gjirit përpiqen të gjejnë alternativa për Hormuzin, vetë Irani ka vazhduar të transportojë naftë me një ritëm prej 1.1 milion deri në 1.5 milion fuçi në ditë.

Të premten, forcat amerikane goditën ishullin Kharg , qendrën për rreth 90% të eksporteve të naftës së Iranit, një nga dobësitë më të ndjeshme të Teheranit. Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit mban peng portet e Gjirit.

Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar se çdo anije që kalon nëpër Ngushticën e ngushtë do të jetë në shënjestër. Që nga fillimi i përplasjes, të paktën 22 anije civile - tankera, anije kontejnerësh dhe transportues të tjerë të mallrave të mëdha - janë sulmuar.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat