Bota Postuar më 25 Mars 2026, 10:14

Plan 15 pikësh i SHBA për fundin e luftës? - Irani e mohon se ka bisedime me amerikanët

Nga Dorian Koça

Plan 15 pikësh i SHBA për fundin e luftës? - Irani e mohon se ka

Fund i luftës, apo trupa tokësore? Njoftimet janë kontradiktore.  Sipas raportimeve të medias, SHBA-të i kanë dërguar Iranit një plan me 15 pika për t'i dhënë fund luftës. Ishte gazeta amerikane The New York Times që njoftoi, duke cituar dy burime të brendshme.

Nga ana tjetër, sipas gazetës Washington Post, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka urdhëruar vendosjen e afërsisht 3,000 ushtarëve nga Divizioni i 82-të Ajror në Lindjen e Mesme. New York Times raportoi një shifër prej rreth 2,000 ushtarësh. Këto forca speciale amerikane janë të afta të hidhen me parashutë në territorin armik dhe potencialisht mund të shërbejnë si maja e një operacioni tokësor.

Lidhur me propozimin për fundin e luftës nga SHBA: sipas njoftimit të Channel 12 të Izraelit kërkohet mbyllje e objekteve bërthamore të Natanzit, Isfahanit dhe Fordovit. Gjithashtu, kërkohet që të garantohet lundrimi i lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe se nuk mund të bëhet pasurimi i uraniumit në tokën iraniane. SHBA-të thuhet se po propozojnë një armëpushim njëmujor për të diskutuar planin. Presidenti Donald Trump, kishte deklaruar më parë se ata po flisnin me "njerëzit e duhur" në Iran.

Të mërkurën në mëngjes njoftohet, se një zëdhënës ushtarak iranian u shpreh me ironi mbi përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar një armëpushim, duke deklaruar se amerikanët thjesht po negociojnë me veten e tyre. Ebrahim Solfaghari, zëdhënës i selisë Khatam al-Anbiya, që merr komandën e Shtabit të Përgjithshëm gjatë kohës së luftës, i bëri këto komente në një video të transmetuar në televizionin shtetëror.

"A janë përshkallëzuar konfliktet tuaja të brendshme deri në atë pikë sa po negocioni me veten tuaj?" pyeti ai me sarkazëm. Komentet e Solfaghari erdhën menjëherë pasi administrata Trump, nëpërmjet Pakistanit, thuhet se i dërgoi Iranit një plan armëpushimi prej 15 pikash.

Shpresat për një armëpushim të mundshëm në Lindjen e Mesme lehtësuan disi shqetësimet e furnizimit midis investitorëve në tregun e naftës. Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent ranë me 5% në 99 dollarë për fuçi.

Shqipëria 24 Mars

Mentor Hima, në krye të OSHEE Group

Mentor Hima është kreu i ri i OSHEE. Në këtë detyrë Hima zëvendëson Enea Karakaçin, i cili u emërua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Emërimi i......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat