Bota Postuar më 22 Tetor 2025, 10:46

OpenAI prezanton “ChatGPT Atlas” - Shfletuesi i ri i pajisur me IA “sfidon” Google Chrome

Nga Kristi Ceta

OpenAI prezanton “ChatGPT Atlas” - Shfletuesi i ri i pajisur me IA

OpenAI ka prezantuar ChatGPT Atlas, një shfletues të shumëpritur të internetit të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Shfletuesi është krijuar rreth chatbot-it të njohur ChatGPT dhe synon të sfidojë dominimin e Google Chrome.

Ky prezantim shënon hapin më të fundit të OpenAI për të përfituar nga 800 milionë përdorues aktivë çdo javë të ChatGPT. Kompania po zgjeron praninë e saj në shumë aspekte të jetës “online” të njerëzve, duke mbledhur të dhëna rreth sjelljes së tyre në shfletim. Shfletuesi i ri mund të përshpejtojë kalimin drejt një kërkimi të bazuar tek inteligjenca artificiale, pasi gjithnjë e më shumë përdorues preferojnë mjete bisedore që përmbledhin informacionin, në vend të rezultateve tradicionale me fjalë kyçe të Google.

Atlas është pjesë e një tregu tashmë të mbushur me shfletues të ngjashëm të mbështetur nga teknologjia e re, si Comet i Perplexity, Brave Browser dhe Neon i Opera-s, ndërsa kompanitë garojnë për të integruar mjete që përmbledhin faqe, plotësojnë formularë dhe shkruajnë kode për të tërhequr përdoruesit.

Atlas lejon përdoruesit të hapin një panel anësor me ChatGPT në çdo faqe për të përmbledhur përmbajtje, për të krahasuar produkte ose analizuar të dhëna. Në “modalitetin agjent”, që është aktualisht i disponueshëm vetëm për përdoruesit me pagesë, ChatGPT mund të ndërveprojë me faqe interneti në emër të përdoruesit, duke kryer detyra nga fillimi në fund, si kërkimi dhe blerja e biletave për një udhëtim.

Gjatë një demonstrimi, zhvilluesit e OpenAI treguan se si ChatGPT mund të gjente një recetë online dhe më pas të blinte automatikisht të gjitha përbërësit. Agjenti navigoi në faqen e Instacart dhe shtoi në shportë ushqimet e nevojshme, një detyrë që zgjati disa minuta.

Shfletuesi është tashmë i disponueshëm në mbarë botën për sistemin macOS të Apple, ndërsa versionet për Windows, iOS dhe Android do të dalin më vonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat