Bota Postuar më 11 Gusht 2025, 10:09

Nvidia dhe AMD ia “dorëzojnë” fitimet Trump - 15% e të ardhurave nga shitjet e çipeve në Kinë shkon për qeverinë e SHBA-së

Nga Kristi Ceta

Nvidia dhe AMD ia “dorëzojnë” fitimet Trump - 15% e

Nvidia dhe AMD kanë rënë dakord t’i japin qeverisë së Shteteve të Bashkuara 15% të të ardhurave nga shitjet në Kinë të çipeve të avancuara kompjuterike, si modeli H20 i Nvidia-s, që përdoret për aplikacione të inteligjencës artificiale.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ndaloi shitjet e çipeve H20 në Kinë në prill, por Nvidia muajin e kaluar njoftoi se SHBA do të lejonte rifillimin e dërgesave dhe kompania shpreson të nisë dorëzimet së shpejti.

Kur u pyet nëse Nvidia kishte rënë dakord të paguante 15% të të ardhurave për SHBA-në, një zëdhënës i kompanisë tha në një deklaratë: "Ne ndjekim rregullat që vendos qeveria amerikane për pjesëmarrjen tonë në tregjet globale. Edhe pse nuk kemi dërguar çipe H20 në Kinë prej muajsh, shpresojmë që rregullat e kontrollit të eksporteve do të lejojnë Amerikën të konkurrojë në Kinë dhe në tregun global."

Pekini përbën një treg të rëndësishëm për të dyja kompanitë. Nvidia gjeneroi 17 miliardë dollarë të ardhura nga Kina në vitin fiskal që përfundoi më 26 janar, që përbënin 13% të shitjeve totale. Ndërsa AMD raportoi 6.2 miliardë dollarë të ardhura nga Kina për vitin 2024, që përbënin 24% të të ardhurave totale.

Sipas Financial Times, kompanitë prodhuese të çipeve e pranuan këtë marrëveshje si kusht për marrjen e licensave të eksportit. Raporti shton se administrata Trump ende nuk ka vendosur se si do ta përdorë këtë shumë parash.

Një zyrtar amerikan u shpreh: “Ose shitja e çipeve H20 në Kinë përbën një rrezik për sigurinë kombëtare, dhe atëherë nuk duhet të realizohet, ose nuk është një rrezik. Në rastin e dytë, pse po vendoset ky ndëshkim shtesë për shitjen e tyre?"

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha muajin e kaluar se rifillimi i planifikuar i shitjeve të çipeve ishte pjesë e negociatave të SHBA-së me Kinën për të marrë minerale të rralla, dhe përshkroi modelin H20 si “çipi i katërt më i mirë” i Nvidia-s. Lutnick shtoi se është në interesin e SHBA-së që kompanitë kineze të përdorin teknologji amerikane, edhe nëse çipet më të avancuara ndalohen nga eksporti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat