Bota Postuar më 16 Gusht 2025, 11:03

Nuk arrihet marrëveshje për Ukrainën - Samiti Trump-Putin përfundon pa rezultate konkrete

Nga Kristi Ceta

Nuk arrihet marrëveshje për Ukrainën - Samiti Trump-Putin

Samiti i shumëpritur midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin nuk solli asnjë marrëveshje për zgjidhjen, apo ndalimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, udhëheqësit e përshkruan takimin e tyre si “produktiv”.

Pas një takimi prej gati tre orësh në Alaskë, të dy udhëheqësit shpjeguan për mediat se kishin arritur "përparime në disa çështje të caktuara", por refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me këto tema.

Bisedimet nuk prodhuan hapa konkretë drejt një armëpushimi në Ukrainë, në konfliktin më vdekjeprurës në Evropë në 80 vitet e fundit, një qëllim që Trump kishte vendosur përpara samitit. Ky takim përfaqësoi një sukses diplomatik për Putin, i cili ishte izoluar nga liderët perëndimorë që nga fillimi i luftës në 2022.

Më tej, Trump sugjeroi se së shpejti do të organizohej një takim midis Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ku edhe ai vetë mund të marrë pjesë. Putin nuk e konfirmoi këtë dhe tha se shpreson se Ukraina dhe aleatët e saj të pranojnë rezultatet e negociatave në mënyrë konstruktive, pa ndërhyrë në "përparimin që po zhvillohet". Ai përforcoi po ashtu pikëpamjen se vetëm eliminimi i "shkaktarëve rrënjësorë" të konfliktit do të mundësojë një paqe të qëndrueshme.

Trump nënvizoi se kishin diskutuar shkëmbime territoriale dhe garanci sigurie për Ukrainën, duke vënë në dukje se kanë “rënë dakord për pjesën më të madhe”. Ai shtoi: “Jemi pothuajse pranë një marrëveshjeje, por Ukraina duhet ta thotë fjalën e fundit. Ndoshta do të refuzojnë.” Kur u pyet se çfarë këshille do t’i jepte Zelenskiy-t, Trump u përgjigj shkurt: “Duhet të arrini një marrëveshje. Rusia është një fuqi e madhe, ndërsa Ukraina jo”.

Në përfundim të takimit, Putin foli me buzëqeshje: "Shihemi herën tjetër në Moskë." Presidenti amerikan pranoi me humor se mund të përballet me kritika për këtë, por tha se “është diçka që mund të ndodhë.”

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat