Bota Postuar më 1 Janar 2025, 13:07

Ngjarjet kryesore sportive në 2024 -Nga pjesëmarrja e Shqipërisë në “Euro 2024”, deri te Lojërat Olimpike të Parisit

Nga Lidion Kulla
Ngjarjet kryesore sportive në 2024 -Nga pjesëmarrja e

Viti 2024 ka qenë shumë i pasur me ngjarje dhe evente sportive, duke nisur nga Europiani i zhvilluar në Gjermani, e deri te formati më i ri i Kupës së Botës për Klube. TV Scan sjell për ju një përmbledhje të ngjarjeve kryesore sportive, që e shoqëruan vitin 2024.

Do ta nisin pa dyshim me pjesëmarrjen e dytë në histori të Kombëtares Shqiptare të Futbollit në një kampionat europian. Euro 2024 që u mbajt në Gjermani, rezervoi një grup mjaft të vështirë për Shqipërinë, ku bënin pjesë Italia, Spanja dhe Kroacia. Kombëtarja jonë u rendit e fundit në grupin B, me vetëm 1 pikë, pas një humbje minimale 0-1 përballë Spanjës, e cila doli nga grupi me 3 fitore dhe 9 pikë të grumbulluara. Kuqezinjtë arritën vetëm një barazim 2-2 me Kroacinë në grupin e “Ferrit”, ndërsa humbi me rezultatin 2-1 përballë Italisë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, deklaroi përpara fillimit të kompeticionit se, pjesëmarrja e kombëtares për herë të dytë në një europian duhet cilësuar një festë për të gjithë.

Kombëtarja shqiptare u shoqërua në të treja ndeshjet nga një numër shumë i madh i tifozëve shqiptarë, të cilët  kthyen këtë eveniment në një festë, si në stadium ashtu edhe në rrugët e qyteteve. Mbështetësit kuqezinj u renditën në vendin e katërt, me 95 mijë spektatorë në 3 takimet e zhvilluara në Gjermani. Rreth 48 mijë ndoqën ndeshjen me Italinë në Dortmund, 15 mijë me Kroacinë në Hamburg dhe 32 mijë ishin të pranishëm ndaj Spanjës në Dyseldorf. Më mirë se shqiptarët ishin Turqit me 130 mijë në total, gjermanët me 125 mijë dhe kroatët me 103 mijë.

Megjithatë, pavarësisht se u rendit në vendin e fundit, shpërblimet financiare nga UEFA ishin të mëdha dhe FSHF vetëm nga pjesëmarrja në fazën finale të Euro 2024 ka përfituar 9.25 milionë euro. Fitorja e ndeshjeve në grup në këtë Kampionat Evropian vlente 1 milion euro, ndërsa barazimi gjysmë milioni euro.

Duke qenë se kuqezinjtë barazuan vetëm një herë dhe regjistruan dy humbje, FSHF arkëtoi nga UEFA edhe 500 mijë euro shtesë. Në total Federata Shqiptare e Futbollit ka mbushur arkat e saj me 9 milionë e 750 mijë euro.

Spanja është shpallur kampione e Europës në futboll. Iberikët fituan 2-1 kundër Anglisë në finalen e Euro 2024 të zhvilluar në 'Olimpiastadion' të Gjermanisë dhe sigurojnë trofeun e katërt të Europianit në histori. Iberikët bëhen skuadra e vetme me katër trofe, duke shkruar historinë. Golat për Spanjën u shënuan në minutat 47-të dhe 86-të nga Nico Williams dhe Oyarzabal, teksa për “Tre Luanët” përkohësisht barazoi Palmer në minutën e 73. Spanja i fitoi të shtata ndeshjet që luajti në turne, duke përfshirë edhe fitoren 1-0 ndaj Shqipërisë, ndërsa Anglia dështon të fitojë një trofe të madh ndërkombëtar prej 58 vitesh.

- Kampionët në fuqi të Argjentinës fituan titullin rekord të 16 të Copa America, duke mposhtur Kolumbinë 1-0 falë një goli në kohën shtesë nga zëvendësuesi Lautaro Martinez në stadiumin Hard Rock në Florida. Titulli i fundit për Argjentinën vjen pas triumfeve në Kupën e Botës 2022 dhe Copa America 2021, dhe i jep tetë herë fituesit të Topit të Artë, Lionel Messit, një dhuratë të çmuar në mbyllje të karrierës me ekipin kombëtar.

- Sebastien Haller shënoi golin e fitores nëntë minuta nga fundi, duke i dhënë Bregut të Fildishtë titullin e tretë të Kupës së Kombeve të Afrikës, me një fitore 2-1 ndaj Nigerisë në finalen në stadiumin Alassane Ouattara në Abidjan. Ishte një triumf i lindur nga fati i keq për Bregun e Fildishte, që e kaluan grupin pas dy humbjeve, duke përfshirë një humbje poshtëruese 4-0 ndaj Guinesë Ekuatoriale. Por, e rigjetën formën e tyre në raundet e eliminimit dhe asnjëherë nuk hoqën dorë nga ëndrra për ta fituar këtë turne. Gjithashtu, ishte një sukses i madh për trajnerin pa shumë eksperiencë Emerse Fae, i cili e kishte nisur turneun si asistent i francezit të shkarkuar, Jean-Louis Gasset.

 - Real Madridi u kurorëzua Mbreti i Evropës për herë të 15-të me fitoren 2-0 ndaj Borussia Dortmundit në finalen e Ligës së Kampionëve në Wembley. Madrilenët u futën në lojë si favoritët e mëdhenj, por hasën vështirësi të mëdha, në përballjen me verdh e zinjtë. Por, rezistenca e Dortmundit u thye me golat e Dani Carvajal dhe Vinicius Jr. Fitorja në Wembley i shton një tjetër trofe Los Blancos, duke riafirmuar dominimin e tyre në futbollin evropian. Ajo gjithashtu vjen me shpërblime të rëndësishme financiare. Real Madridi fitoi 85 milionë euro për triumfin në finale, ndërsa totali shkon në 140 milionë euro, falë sistemit bujar të shpërblimeve të UEFA-s, që favorizon ekipet vazhdimisht të suksesshme nga të drejtat e transmetimit. Për vitin 2024, UEFA ndau plot 2 miliardë euro për 32 skuadrat pjesëmarrëse në Champions League.

Reali e përforcoi më tej skuadrën në verë me ardhjen e shumëpritur të kapitenit të Francës, Kylian Mbappe, i cili nënshkroi si agjent i lirë një kontratë 5-vjeçare pasi u largua nga Paris St Germain. Klubi parizien nuk fitoi asgjë, edhe pse pagoi më tepër se 160 milionë euro tek Monaco vite më parë për afrimin e lojtarit. Kapiteni i Francës do të fitojë 15 milionë euro në vit pas taksave.

- Një tripletë mahnitëse e Ademola Lookman i dha Atalantës titullin e Europa League, trofeu i dytë i madh në historinë 117-vjeçare të klubit, pas fitores 3-0 ndaj Bayer Leverkusen, që i dha fund serisë së jashtëzakonshme të pamposhtur të kampionëve të Gjermanisë. Fitorja i dha gjithashtu fund përpjekjeve prej dy dekadash të trajnerit të Atalantës, Gian Piero Gasperini-t për të fituar një trofe të madh, pasi skuadra e tij triumfoi ndaj Leverkusenit të Xabi Alonsos, që kishte një seri të jashtëzakonshme prej 51 ndeshjesh pa humbje. Atalanta fitoi rreth 35 milionë euro në total nga pjesëmarrja në këtë kompeticion, nga të cilat 4 milionë euro për triumfin në finale dhe 3.5 milionë euro që luajti finalet e superkupës përballë Realit të Madridit, të humbur me rezultatin 2-0.

 - Olympiacos mundi Fiorentinën 1-0 pas kohës shtesë në finalen e Europa Conference League, pasi një gol i vonë i Ayoub El Kaabi i dha klubit grek trofeun e parë të madh europian në historinë e tij. Në një ndeshje me intensitet dhe fizik të lartë, por me cilësi të ulët para portës, asnjëra palë nuk mundi të gjente rrjetën në 90 minutat e rregullta, përpara se El Kaabi të shënonte golin fitues në minutën e 116-të. Megjithatë, shpërblimi monetar për fituesin e Conference League ishte shumë më i ulët krahasuar me 2 kompeticionet e tjera europiane. Olympiacos fitoi vetëm 5 milionë euro dhe shkaktoi reagime të shumta nga tifozët në rrjetet sociale, me fansat që shpreheshin se nuk ja vlen mundimi.

 - Botafogo mundi Atletico Mineiro 3-1 për të fituar titullin e parë të Copa Libertadores, pavarësisht se luajti me 10 lojtarë pasi Gregore u përjashtua me karton të kuq vetëm pas 30 sekondash, në ndeshjen që u zhvillua në Estadio Monumental në Argjentinë. Atletico Mineiro ishte e pafat në të gjithë ndeshjen teksa krijoi pafund raste, por nuk mundi t’i përfundonte në gol. Ndërkaq skuadra e Botafogo u tregua cinike duke reajtur momentin e përshtatshëm për të shënuar golat e suksesit.

Në datën 5 dhjetor u hodh shorti i Botërorit për Klube, një event që do zhvillohet për herë të parë, sipas këtij formati, në vitin 2025 në Shtetet e Bashkuara dhe marrin pjesë 32 klube. Bie në sy në Grupi G, përballja midis Juventusit dhe Manchester City, ndërsa dy ekipet e tjera janë Wydad dhe Al Ain.

Lionel Messi dhe Inter Miami i kampionatit amerikan janë në Grupin A dhe do të përballen me Al Ahly në ndeshjen hapëse të turneut të zgjeruar me 32 ekipe, përpara se të përballen me Porton dhe Palmeiras.

Turneu, me skuadra kryesore nga e gjithë bota, do të mbahet në 12 stadiume anembanë vendit nga 15 qershori deri më 13 korrik dhe do të shërbejë si një parapërgatitje për Kupën e Botës 2026, që organizohet nga Meksika, Kanadaja dhe SHBA.

Manchester City fitoi Kupën e fundit të Klubeve në vitin 2023, sipas formatit të vjetër dhe është në vendin e katërt në Premier League, pasi u godit rëndë nga dëmtimet e lojtarëve kryesorë si mesfushori spanjoll dhe fituesi i Topit të Artë, Rodri.

City, i cili këtë vit fitoi një titull të paprecedentë të katërt radhazi të ligës angleze, do të përballet me Wydad AC në ndeshjen e tyre hapëse dhe Al Ain përpara se të mbyllë fazën e grupeve kundër Juventusit.

Kampioni i Evropës, Real Madrid do të përballet me Al-Hilal, Pachuca dhe Red Bull Salzburg në Grupin H, ndërsa Bayern Munich gjendet në Grupin C, së bashku me Auckland City, Boca Juniors dhe Benfica.

Tri herë kampionët e Evropës, Inter Milan, janë në Grupin E së bashku me River Plate, Urawa Red Diamonds dhe Monterrey, ndërsa Paris St Germain, i cili këtë vit fitoi titullin e tretë radhazi në kampionatin francez, është në grupin B me Atletico Madrid, Botafogo dhe Seattle Sounders. Skuadra braziliane Botafogo siguroi pjesëmarrjen në turne një javë përpara hedhjes së shortit, duke fituar titullin e parë të Copa Libertadores.

Chelsea do të luajë ndeshjen e parë në Grupin D kundër Leon, përpara se të përballet me Flamengo dhe Esperance, ndërsa Grupi F përbëhet nga Fluminense, Borussia Dortmund, Ulsan HD dhe Mamelodi Sundowns.

Lojërat olimpike

Kundër të gjitha basteve, Lojërat Olimpike të Parisit u mbajtën pas 19 ditësh gare dhe 329 medaljesh të arta. Vetëm pak javë para fillimit, shanset për një lojëra të suksesshme në Qytetin e Dritave dukeshin të pakta. Franca ishte në një krizë politike. Zyrtarët e sigurisë kishin frikë nga sulme terroriste, ndërsa shumë francezë dukeshin të pakënaqur.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, nën presionin e sponsorëve dhe transmetuesve pasi COVID çoi në lojëra kryesisht pa spektatorë në Tokio, nuk mund të përballonte një humbje tjetër. Por ndërsa Lojërat u mbyllën me një ceremoni në Stade de France, rezultoi se ato shqetësime mbetën thjesht shënime në letër, me Parisin që riktheu markën e Lojërave Olimpike.

Duke shmangur kostot shumë të larta dhe duke i dhënë përparësi stadiumeve të përkohshme të vendosura midis disa prej monumenteve më të njohura në botë, organizatorët francezë e kthyen Parisin në një shesh lojrash olimpike në ambient të hapur, ku të gjithë ftoheshin, me ose pa biletë.

Parisi gjithashtu shmangu skandalin, me krizat gjeopolitike si Ukraina dhe çështjet periferike të Gazës në flluskën e Lojërave, ndërsa fushata zgjedhore në SHBA dhe protestat në Britani ishin titujt kryesorë të mediave.

Suksesi i Parisit është një lehtësim i madh për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që kishte luftuar për të tërhequr audiencë më të re, të nevojshme për të justifikuar marrëveshjet televizive dhe sponsorizuese miliarda dollarëshe.

Gjithashtu, Komiteti ja doli me sukses në ndërmarrjen e një lëvizje potencialisht të rrezikshme, sikurse marketingu me vendosjen e produkteve, si telefonat Samsung në podiumet e medaljeve ose valixhet e Louis Vuitton gjatë ceremonisë së hapjes. “Do të shikoni më shumë vendosje të produkteve në Lojërat e ardhshme Olimpike”, thanë zyrtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Por Parisi nuk ishte pa të meta. Megjithëse skenari më i keq i një sulmi terrorist u shmang, një sabotim misterioz i hekurudhave dhe telekomit në fillimin e Lojërave mbetet ende i pazgjidhur. Disa banorë në Seine-Saint-Denis, departamenti më i varfër administrativ i Francës ku ndodhej Fshati Olimpik, thanë se pavarësisht përpjekjeve të organizatorëve për t'i afruar me Lojërat, ata ndiheshin të lënë jashtë.

Një përmbytje gjatë ceremonisë së hapjes krijoi disa probleme, por më pak të dëmshme sesa parodia “Darka e Fundit” e Leonardo Da Vinçit, e cila i mërziti shumë katolikët. Por, zëdhënësja e Lojërave Olimpike Paris 2024, Anne Descamp, deklaroi se performanca nuk kishte për qëllim të ofendonte asnjë grup fetar. “Është e qartë se nuk ka pasur kurrë qëllim për të treguar mungesë respekti ndaj ndonjë grupi fetar. Përkundrazi, unë mendoj se Thomas Jolly vërtet u përpoq, me të vërtetë synonte të festonte tolerancën e komunitetit, kjo ishte fjala e tij, dhe duke parë rezultatin e sondazheve që ndamë, ne besojmë se kjo ambicie u arrit. Nëse njerëzit kanë bërë ndonjë ofendim, sigurisht që na vjen shumë keq”, tha ajo.

Lojërat Olimpike i dhanë një mirëseardhje edhe Presidentit Emmanuel Macron, i cili e zhyti Francën në kaos politik me zgjedhjet e parakohshme legjislative, vetëm disa javë përpara Olimpiadës.

- Në futbollin për femra, golat në pjesën e dytë të Aitana Bonmati dhe Alexia Putellas i dhanë Barcelonës një fitore 2-0 ndaj Olympique Lyonnais në finalen e Ligës së Kampionëve për Femra në Bilbao, fitorja e dytë radhazi në këtë kompeticion. Barça, që mundi VfL Wolfsburg 3-2 në finalen e vitit të kaluar, hyri në lojë duke kërkuar të shkonte më mirë se finalet e 2019 dhe 2022 kundër Lyon, që i humbën respektivisht 4-1 dhe 3-1. Këtë herë, ekipi i Barcelonës për femra, gjeti kombinimin e duhur të organizimit dhe shkëlqimit individual për të mposhtur Lyon, ekipin më të suksesshëm në historinë e Champions League, në një finale luftuar dhe të tensionuar.

 - Përsa i përket kampionateve kombëtare, Bayer Leverkusen i pamposhtur siguroi titullin e parë të Bundesligës për të thyer një dominim 11-vjeçar nga Bayern Munich. Skuadra e Xabi Alonso u bë skuadra e parë në historinë 61-vjeçare të Bundesligës që përfundoi sezonin pa humbje për të siguruar trofeun e parë që nga viti 1993. Bayer Leverkusen, siguroi rreth 80 milionë euro ka fitimi i kampionatit.

- Në Angli, Manchester City fitoi titullin e katërt radhazi të ligës angleze, duke mposhtur rivalët e Arsenalit në ditën e fundit të një sezoni emocionues në Premier League. Arsenali përfundoi vetëm dy pikë prapa Manchester City-t, ndërsa ecuria shumë pozitive bëri që fituesi të përcaktohej në ditën e fundit të sezonit.

 - Në Itali, Inter Milan fitoi titullin e 20-të të Serie A kur mundi AC Milan në San Siro 2-1 për t'u bërë skuadra e parë në Itali që fiton një titull ligë pas një ndeshje derbi të të njëjtit qytet. Inter humbi vetëm dy herë gjatë sezonit dhe e mbylli kampionatin 19 pikë përpara Milanit të vendit të dytë.

 - Në Francë, Paris St Germain u kurorëzua kampion i Ligue 1 për herë të 12-të dhe për herë të tretë radhazi. Trajneri spanjoll Luis Enrique, i cili e mori drejtimin e PSG-së në fund të sezonit të kaluar, i udhëhoqi ata drejt titullit të 10-të në 12 sezone. PSG pësoi vetëm dy humbje në ligë gjatë gjithë sezonit dhe përfundoi nëntë pikë më shumë se AS Monaco e vendit të dytë.

Tenis

 - Në tenis për meshkuj, Jannik Sinner bëri një rikthim të madh, për të fituar ndaj Daniil Medvedev, me rezultatin 3-6, 3-6, 6-4, 6-4, 6-3 në një finale me cilësi të jashtëzakonshme dhe fitoi titullin e tij të parë Grand Slam në Australian Open. Sinner u bë kampioni i parë në Australi, që nuk quhet Novak Djokovic, Rafa Nadal apo Roger Federer, në dekadën e fundit. Gjithashtu, kjo ishte ndeshja e parë që nga viti 2005, që asnjë prej këtyre 3 emrave të mëdhenj të tenisit nuk ishte në finale.

 - Në tenis për femra, Aryna Sabalenka vazhdoi të ishte e papërmbajtshme në Australian Open, pasi arriti në një fitore 6-3 6-2 ndaj kinezes që renditej në vendin e 12, Zheng Qinwen, për të mbrojtur me sukses titullin për femra dhe për të shtuar një trofe të dytë Grand Slam në koleksionin e saj. Bjellorusja çdo hap e hidhte të sigurtë dhe u bë gruaja e parë që mbron kurorën në Melbourne Park, që nga viti 2013 kur trofeun e fitonte bashkëpatriotja e saj Victoria Azarenka.

 - Carlos Alcaraz ftiumfoi ndaj gjermanit Alexander Zverev për të fituar “French Open” për meshkuj dhe u bë lojtari më i ri që ka fituar titujt e Grand Slam në të tria sipërfaqet, me një fitore 6-3 2-6 5-7 6-1 6-2. Gara mund të mos ketë qenë klasike, por spanjolli tregoi se i përkiste ligës së madhe, pasi shtoi një titull të tretë Grand Slam, pas triumfeve të tij të US Open 2022 dhe Wimbledon 2023. Ndërsa Alcaraz ka fituar të treja finalet e mëdha, humbja zgjati zhgënjimin e Zverev në Grand Slams, me gjermanin që ende kërkon titullin e parë.

 - Iga Swiatek forcoi reputacionin e saj si mbretëresha e baltës pasi siguroi fitoren e tretë radhazi të French Open për femra, me një fitore dërrmuese 6-2 6-1 ndaj Jasmine Paolini, për të marrë titullin e pestë Grand Slam. Fitorja e 21-të radhazi e Swiatek e vendosi atë në vendin e katërt në listën e serive më të gjata të fitoreve në Roland Garros në epokën e Open pas Chris Evert (29), Monica Seles (25) dhe Justine Henin (24).

 - Ndërkohë, në Wimbledon, Alcaraz bëri një paraqitje të pamëshirshme për të shkatërruar serbin Novak Djokovic 6-2 6-2 7-6 në një ndeshje finale, për të mbrojtur me sukses titullin e tij. Alcaraz tani ka katër trofe Grand Slam me një rekord perfekt në finalet e mëdha, pas dy triumfeve të tij në Wimbledon, fitores në US Open në 2022 dhe fitores në French Open muajin e kaluar. Disfata e privoi Djokovic nga fitorja e 25 në një titull Grand Slam, që do të kalonte Margaret Court në listën e të gjitha kohërave dhe do të barazonte Roger Federer me 8 tituj në Wimbledon.

- Ndërsa për femra, Barbora Krejcikova triumfoi ndaj të preferuarës së publikut, italianes Jasmine Paolini, për të fituar titullin për femra në Wimbledon, me rezultatin 6-2 2-6 6-4. Çekja, e cila zotëron gjithashtu 10 tituj Grand Slam në dyshe, duke përfshirë dy në Wimbledon, është e fundit që i shtohet listës së gjatë të çekëve që fitojnë në Wimbledon, pas triumfit të Marketa Vondrousova vitin e kaluar.

- Sinner solli një performancë brutale dhe u bë italiani i parë që fitoi US Open, me një fitore 6-3 6-4 7-5 ndaj amerikanit Taylor Fritz në finalen e Nju Jorkut. Sinner shpërtheu në festë pasi fitoi titullin dhe brohoritjet u përhapën rreth stadiumit Arthur Ashe, edhe pse tifozët vendas shpresonin të shihnin Fritz t'i jepte fund një thatësire 21-vjeçare në Grand Slam për meshkuj në SHBA.

Sinner ishte në qendër të polemikave në fillim të turneut, pasi rezultoi pozitiv dy herë me një agjent anabolik në mars, por shmangu ndalimin kur një gjykatë e pavarur pranoi pretendimin e tij se testet pozitive ishin rezultat i një kontaminimi të paqëllimshëm.

- Për femra, Sabalenka mundi amerikanen, Jessica Pegula 7-5 7-5 në finalen e U.S. Open. Sabalenka fitoi titullin e saj të parë në Nju Jork. 30-vjeçarja Pegula kishte pritur një kohë të gjatë për të arritur në finalen e saj të parë të madhe, por nuk mundi të krahasohej me fuqinë e kundërshtares të saj, pavarësisht nga mbështetja e tifozëve të Nju Jorkut.

NBA

Në basketbollin amerikan, Boston Celtics mundi Dallas Mavericks në finalet e NBA për të siguruar kampionatin e tyre të 18-të në ligë. Jayson Tatum udhëhoqi ekipin në ndeshjen e pestë, me një paraqitje mbresëlënëse, duke shënuar 31 pikë dhe duke dhënë 11 asistime, në një fitore dominuese 106-88. Përpara kësaj fitoreje, Celtics dhe Los Angeles Lakers ishin të barabartë për numrin e kampionateve të fituara në historinë e NBA, secili me 17 tituj. Triumfi i Celtics e theu atë barazim, duke u dhënë atyre rekordin e plotë.

FORMULA 1

Në Formula 1, Max Verstappen iu bashkua grupit të të mëdhenjve të këtij sporti, duke fituar titullin e tij të katërt, por shtrirja në pesë radhazi vitin e ardhshëm mund të jetë një betejë edhe më e madhe dhe më emocionuese. Vetëm gjashtë pilotë kanë fituar katër kampionate dhe vetëm Michael Schumacher arriti pesë radhazi me Ferrarin nga 2000 deri në 2004. Vetëm dy prej tyre - Verstappen dhe Sebastian Vettel i Red Bull nga 2010-2013 - kanë fituar nga katër kampionate radhazi.

WORLD RALLY CHAMPIONSHIP

Thierry Neuville i Hyundai mori mbi shpatulla peshën e ekipit të tij, për të fituar kampionatin e parë botëror, ndërsa Toyota vulosi kurorën e prodhuesve në një ditë dramatike të fundit të sezonit në Japoni. Belgu 36-vjeçar, pesë herë nënkampion dhe tre herë i treti, mori pikët që i nevojiteshin me vendin e gjashtë, pasi shoku i skuadrës dhe rivali kryesor Ott Tanak u përplas ndërsa kryesonte.

Elfyn Evans i Toyota-s fitoi garën e asfaltit, përpara shokut të skuadrës, tetë herë kampionit të botës, Sebastien Ogier. Prodhuesi japonez i automjeteve fitoi fazën e fundit të Poëer Stage për të përfunduar tre pikë përpara Hyundai.

MOTOGP

Jorge Martin i Prima Pramac Racing u kurorëzua kampioni i botës në MotoGP, pasi përfundoi i treti në Çmimin e Madh të Barcelonës në fund të sezonit, i cili u fitua nga rivali i tij për titull Francesco Bagnaia i Ducatit.

Martin shkoi në garën e fundit me një avantazh prej 19 pikësh, dhe spanjollit i duhej të përfundonte garën në 9-shen e parë, për të fituar titullin edhe nëse dy herë kampioni Bagnaia fitonte garën. Marc Marquez i Gresini Racing përfundoi i dyti.

Bagnaia kishte bërë gjithçka për të ngushtuar diferencën në garën për titull me fitoren e 11-të të sezonit, por 32 podiumet e Martinit dhe gara i dhanë atij titullin me 10 pikë diferencë.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 1 Janar Hamit Yzeiraj

2024, viti i eksporteve “Made in Albania”

Bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e shtetit, përfaqëson rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në një......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat