Bota Postuar më 6 Dhjetor 2025, 12:42

Netflix blen Warner Bros/ Palët arrijnë marrëveshje me vlerë 72 miliardë dollarë

Nga Kristi Ceta

Netflix blen Warner Bros/ Palët arrijnë marrëveshje me vlerë

Netflix do të blejë studiot televizive, filmike dhe njësinë e transmetimit të Warner Bros Discovery për 72 miliardë dollar. Kjo marrëveshje i jep gjigantit të transmetimit kontrollin mbi një prej aseteve më të vjetra dhe më prestigjioze të Hollivudit.

Ky zhvillim përfaqëson një kthesë të fortë për Netflix, që para disa vitesh tronditi industrinë e argëtimit, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit shikojnë filma dhe seriale. Ndërsa tani po shndërrohet vetë në një studio tradicionale.

Marrëveshja erdhi pas një beteje disajavore ofertash, në të cilën Netflix ofroi gati 28 dollarë për aksion, duke tejkaluar Paramount Skydance, që pritej të ishte fituesi kryesor dhe që kishte bërë disa oferta për të blerë Warner Bros Discovery, duke përfshirë kanalet televizive që priten të ndahen nga kompania.

Netflix, që është fokusuar për një dekadë në prodhime origjinale si “Stranger Things”, “Bridgerton” dhe filma si “KPop Demon Hunters”, do të fitojë akses në arkivin gjigant të Warner Bros, të ndërtuar gjatë një shekulli. Kjo përfshin prodhimet ikonike si “Game of Thrones” dhe “Harry Potter”, por edhe superheronjtë e DC Comics, mes tyre Batman dhe Superman.

Megjithatë, marrëveshja pritet të përballet me kontrolle të rrepta në Evropë dhe SHBA, pasi Netflix, platforma më e madhe e transmetimit në botë, do të zotërojë një konkurrent që mbështet HBO Max dhe ka gati 130 milionë abonentë. “Do të ketë rezistencë nga një pjesë e Hollivudit dhe sindikatat,” thonë analistët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat