Bota Postuar më 21 Gusht 2025, 10:50

Nëse SHBA kursen, Evropa paguan - Ulja e çmimeve të barnave amerikane rrezikon aksesin e mjekimeve në BE

Nga Kristi Ceta

Nëse SHBA kursen, Evropa paguan - Ulja e çmimeve të barnave

Nisma e Presidentit Donald Trump për të barazuar çmimet e barnave në SHBA me nivelin më të ulët të vendeve kryesore tregtare po shqetëson industrinë dhe analistët në Evropë. Ata paralajmërojnë për vonesa në daljen në treg të barnave të reja dhe rritje çmimesh në tregjet evropiane.

Në fund të korrikut, Trump u kërkoi prodhuesve të barnave që brenda dy muajve të përshtatin çmimet në SHBA sipas politikës së çmimit më të favorshëm, duke kërcënuar me masa të ashpra nëse nuk përmbushen këto kërkesa. Kjo është tentativa e dytë e presidentit amerikan për të vendosur këtë sistem çmimesh, pasi herën e parë në 2020 u ndalua nga një gjykatës federal. Situata aktuale po krijon shqetësime në Evropë për mundësinë e vonesave, çmimeve më të larta dhe kufizim të aksesit në barna inovative.

Ekspertët e sektorit shpjegojnë se barazimi i çmimeve në SHBA me ato më të ulëta në vende të tjera të zhvilluara do të ketë ndikim të madh në Bashkimin Evropian. Meqë SHBA është tregu më i madh botëror i barnave, një ulje çmimesh aty do të godiste fort të ardhurat e industrisë. Por në vend që të ulin kostot në SHBA, kompanitë mund të zgjedhin të rrisin çmimet ose të vonojnë produktet e reja në tregjet më të vogla, duke përfshirë Evropën. Një vonesë e tillë do të përkeqësojë situatën për pacientët evropianë, sidomos për ata që kanë nevojë për barna inovative.

Eucope, një organizatë e kompanive farmaceutike evropiane, thekson se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht ato që zhvillojnë barna për sëmundje të rralla, do ta ndiejnë më shumë këtë goditje, pasi kanë më pak mundësi të përballojnë humbjet e të ardhurave.

Një tjetër strategji e mundshme e industrisë mund të jetë ngritja e çmimeve mesatare për tregjet më të mëdha, duke përjashtuar kështu vendet më të varfra e duke shtuar pabarazitë midis Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Ende nuk dihet nëse skema e Trump do të bazohet në çmimet zyrtare apo në çmimet neto, që pasqyrojnë zbritjet dhe marrëveshjet konfidenciale. Marrja e të dhënave për çmimet neto është thuajse e pamundur, prandaj nisma mund të çojë në rritje të çmimeve zyrtare pa ndryshuar shumë kostot reale që paguajnë pacientët dhe shtetet. Kjo mund të krijojë vetëm një iluzion të harmonizimit të çmimeve, ndërsa në praktikë, skema mund të mos zbatohet në mënyrë efektive.

Nismë vjen në një kohë të tensioneve tregtare transatlantike, ku SHBA ka paralajmëruar tarifa mbi importet farmaceutike, duke kërcënuar zinxhirët globalë të furnizimit dhe duke rrezikuar rritjen e çmimeve të barnave në SHBA. Nën një marrëveshje tregtare me Trump, Bashkimi Evropian pret që këto tarifa të mos tejkalojnë 15%, por kjo do të mjaftonte për të nxitur kostot e barnave të shitura në SHBA.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat