Bota Postuar më 2 Shtator 2025, 09:40

“Ndotja e mjedisit rrezikon ekonominë globale”/ Banka Botërore kërkon masa kundër degradimit të tokës, shpyllëzimit

Nga Kristi Ceta

“Ndotja e mjedisit rrezikon ekonominë globale”/ Banka

Toka e degraduar, ajri i ndotur dhe mungesa e ujit përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ekonomik global, por përdorimi më efikas i burimeve natyrore mund ta përgjysmojë ndotjen, u shpreh një nga drejtorët menaxhues të Bankës Botërore.

Sipas tij, dëmet janë veçanërisht të rënda për vendet me të ardhura të ulëta, që janë më të ekspozuara ndaj varfërisë, ndryshimeve klimatike dhe humbjes së biodiversitetit.

Në një deklaratë të dhënë krahas publikimit të raportit të ri, ai theksoi se rreth 80% e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta janë të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve, dhe se Banka Botërore është e përkushtuar të veprojë, edhe pse shumë vende kanë shkurtuar buxhetet për ndihmë ndërkombëtare.

Ndër vendet më të prekura përmendet Burundi, ku 8 milionë njerëz përballen me mungesë uji dhe ndotje të ajrit, ndërsa 7 milionë vuajnë nga degradimi i tokës. Në Malavi, 12 milionë njerëz përballen me të gjitha këto rreziqe njëkohësisht.

Raporti tregon se 90% e popullsisë botërore përballet me të paktën një nga këto sfida dhe u bën thirrje vendeve që të rishikojnë subvencionet që aktualisht shpenzohen për veprimtari të dëmshme për mjedisin.

Të dhënat publikohen në mes të një konteksti të tensionuar politik përpara bisedimeve për klimën COP30 që do të zhvillohen në nëntor në Brazil. Ndërkohë, Banka Botërore dhe huadhënës të tjerë shumëpalësh janë në pritje të rezultateve të një rishikimi të kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump mbi mënyrën se si këto institucione funksionojnë.

Banka Botërore do të ofrojë gjithashtu të dhëna të mbështetura në fakte për të ndihmuar diskutimet mes qeverive anëtare mbi degradimin mjedisor. Raporti vlerëson se pyjet ndihmojnë në formimin e rreth gjysmës së reshjeve në botë, ndërsa shpyllëzimi ka sjellë një humbje vjetore prej 14 miliardë dollarësh vetëm në rajonin e Amazonës, që përfshin nëntë shtete.

Humbja e pyjeve ul aftësinë e mjediseve natyrore për të ruajtur dhe liruar lagështi në mënyrë të ngadaltë me kalimin e kohës, gjë që përkeqëson thatësirat dhe shkakton një dëm ekonomik prej 379 miliardë dollarësh, ose 8% të prodhimit bujqësor global.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat