Bota Postuar më 28 Tetor 2025, 11:02

“Ndikimi i sanksioneve në çmimet e naftës, i kufizuar” - IEA: Kapacitetet e tepërta të prodhimit do të stabilizojnë tregun global

Nga Kristi Ceta

“Ndikimi i sanksioneve në çmimet e naftës, i

Sanksionet ndaj vendeve eksportuese të naftës mund të rrisin çmimet, por efekti mbetet i kufizuar për shkak të kapaciteteve të tepërta të prodhimit, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol.

Javën e kaluar, çmimet globale të naftës u rritën me mbi 7%, ndërsa nafta Brent u tregtua me rreth 65 dollarë për fuçi, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione ndaj kompanive ruse Rosneft dhe Lukoil. Masa synon të shtojë presionin ndaj presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Birol theksoi se ndikimi i sanksioneve në tregun e naftës është i kufizuar, pasi prodhuesit e mëdhenj kanë ende kapacitete të mëdha të pashfrytëzuara. “Sanksionet mund të nxisin rritjen e çmimeve, por për shkak të sasisë së madhe të naftës që mund të vendoset shpejt në treg, çmimet po mbahen rreth nivelit prej 60 dollarësh për fuçi,” tha ai.

Sipas burimeve tregtare, kompanitë shtetërore kineze të naftës kanë pezulluar përkohësisht blerjet e naftës ruse, ndërsa rafineritë indiane, blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që transportohet përmes detit, priten të ulin ndjeshëm importet e tyre.

Në anën tjetër, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, po shqyrtojnë mundësinë e një rritjeje të lehtë të prodhimit në muajin dhjetor, “Pavarësisht tensioneve të shumta gjeopolitike në botë, si në Lindjen e Mesme, Rusi, Ukrainë apo luftërat tregtare, çmimi i naftës mbetet rreth 60 dollarë për fuçi, saktësisht siç kishim parashikuar,” deklaroi Birol.

Sipas tij, tregjet e naftës dhe të gazit po hyjnë në një periudhë të re, ku në mungesë të tensioneve të mëdha politike, pritet që çmimet e naftës dhe gazit të jenë më të ulëta. Ai shtoi se ndërmjet viteve 2026 dhe 2030 në treg parashikohet të hyjnë rreth 300 miliardë metra kub gaz i lëngshëm natyror (LNG), gjysma e të cilëve do të vijë nga SHBA, Kanadaja, Australia dhe Katari. Birol nënvizoi gjithashtu se qymyri do të mbetet një pjesë e rëndësishme e furnizimit me energji elektrike në rajonin aziatik për të paktën dhjetë vitet e ardhshme.

Ndërkohë, në fjalën e tij, Birol u bëri thirrje vendeve aziatike të investojnë më shumë në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve kritike, që janë thelbësore për prodhimin e teknologjive të gjelbra, baterive dhe turbinave me erë. Sipas tij, diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit me minerale të rralla është jetik për sigurinë energjetike. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara nënshkruan një sërë marrëveshjesh tregtare dhe për minerale kritike me katër partnerë nga Azia Juglindore, për të reduktuar varësinë nga furnizuesit kinezë dhe për të balancuar deficitin tregtar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat