Bota Postuar më 7 Nëntor 2025, 11:30

“Mineralet, prioritet kyç për SHBA-në” - Trump diskuton forcimin e bashkëpunimit me liderët e Azisë Qendrore

Nga Kristi Ceta

“Mineralet, prioritet kyç për SHBA-në” - Trump

Presidenti Donald Trump e quajti çështjen e mineraleve kritike si një prioritet kyç, ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë liderët e pesë vendeve të Azisë Qendrore. Ai theksoi përpjekjet e administratës së tij për të zgjeruar dhe siguruar zinxhirët e furnizimit përmes marrëveshjeve të reja globale.

Takimi me liderët e Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit u zhvillua ndërsa Uashingtoni synon të zgjerojë ndikimin e tij në një rajon të pasur me burime, të dominuar prej kohësh nga Rusia dhe gjithnjë e më shumë nga Kina. Trump e përshkroi Azinë Qendrore si “një rajon jashtëzakonisht të pasur,” duke thënë se ai është i përkushtuar për të forcuar partneritetin e Amerikës me këto pesë shtete.

“Një nga pikat kryesore në agjendën tonë është çështja e mineraleve kritike,” tha Trump. “Në javët e fundit, administrata ime ka forcuar sigurinë ekonomike amerikane duke arritur marrëveshje me aleatët në mbarë botën, për të zgjeruar zinxhirët tanë të furnizimit.”

Bisedimet u zhvilluan në një kohë kur konkurrenca për pasuritë e mëdha minerale të Azisë Qendrore, që përfshijnë uraniumin, bakrin, arin etj., po bëhet më intensive. Kohët e fundit, vendet perëndimore po përpiqen të diversifikojnë zinxhirët e furnizimit larg Moskës dhe Pekinit. SHBA po ndjek partneritete të reja për të siguruar minerale kritike, energji dhe rrugë tregtare tokësore që shmangin rivalët e saj gjeopolitikë.

Në deklarata të veçanta, secili nga pesë presidentët e Azisë Qendrore shprehu mirënjohje ndaj Trump dhe sinjalizoi një angazhim për të thelluar lidhjet tregtare dhe për të ndjekur bashkëpunim më të gjerë ekonomik.

Platforma C5+1, e nisur në 2015, bashkon Shtetet e Bashkuara me pesë shtetet e Azisë Qendrore për të forcuar bashkëpunimin në çështjet ekonomike, energjetike dhe të sigurisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat