Bota Postuar më 29 Nëntor 2025, 11:42

“Metali i djallit” po shkëlqen në 2025 - Argjendi parashikohet të rritet më tej, për shkak të kërkesës

Nga Lidion Kulla

“Metali i djallit” po shkëlqen në 2025 - Argjendi

Argjendi, që njihet për paqendrueshmërinë e tij, ka arritur nivele rekord këtë vit dhe pritet të rritet më tej, për shkak të rritjes së kërkesës nga industri të ndryshme, si makinat elektrike, inteligjenca artificiale dhe panelet fotovoltaike.

Argjendi, që shpesh herë quhet edhe si “metali i djallit” për shkak të paqëndrueshmërisë së lartë, ka arritur nivele rekord këtë vit dhe ende ka për të vazhduar rritjen, sipas ekspertëve. Vlera e metalit ka ecur paralelisht me atë të arit, që është ngjitur në mbi 4200 dollarë për onz këtë vit.

Çmimet e argjendit prekën nivelin më të lartë në histori, prej 54.47 dollarë për onz në mes të tetorit, duke shënuar një rritje prej 71%, me bazë vjetore. Që nga ajo kohë, është vënë re një korrektim i çmimit, por në javën e fundit ka nisur sërish tendenca në rritje, për shkak të niveleve të ulëta të ofertës. “Disa njerëz duhej të transportonin argjend me avion dhe jo me anijet e mallrave për të përmbushur kërkesën”, tha një ekspert.

Në tetor u regjistrua hera e tretë në 50 vitet e fundit ku çmimet e argjendit arrijnë kulmin. Nivelet maksimale në të kaluarën përfshijnë janarin e vitit 1980, kur vëllezërit Hunt grumbulluan një të tretën e furnizimit global ndërsa përpiqeshin të kontrollonin tregun, dhe vitin 2011, pas krizës së tavanit të borxhit në SHBA, kur argjendi dhe ari u preferuan si asete të sigurta. Ndryshe nga valët e mëparshme të investimeve, bumi i argjendit në vitin 2025 u mbështet në një miksim i ofertës së ulët dhe kërkesës së lartë nga India. Një faktor tjetër ishte rritja e kërkesës industriale dhe tarifat e vendosura nga Donald Trump.

India është konsumatori më i madh i argjendit në botë, me rreth 4,000 metër ton të përdorur çdo vit, kryesisht për bizhuteri, enë kuzine dhe zbukurime. Rritja e argjendit këtë vjeshtë përkoi gjithashtu me “Diwali”-n, një festival 5-ditor dritash në Indi, ku festohet prosperiteti dhe fati i mirë.

Ndërsa ari tradicionalisht është një nga asetet më të preferuara, këtë vit argjendi i la në hije metalet e tjera. Rreth 80% e argjendit në Indi importohet, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina.

Furnizimi i tregut është një problem i vazhdueshëm për argjendin, ashtu sikurse edhe për metalet e tjera të rralla. Një sondazh global nga Instituti i Argjendit në vitin 2025 vlerëson se prodhimi i minierave ka qenë në rënie gjatë 10 viteve të fundit, veçanërisht në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Gjatë 12 muajve të fundit, suficiti ka filluar të shndërrohet në deficit për tre arsye: ndikimi i elektrifikimit të flotës së automjeteve, inteligjenca artificiale dhe fotovoltaikët. Aktualisht, një automjet elektrik standard ka rreth 25 gramë argjend, ndërsa automjetet më të mëdha kanë rreth 50 gramë argjend.

Dhe me argjendin që ka një përçueshmëri të lartë termike dhe një përçueshmëri elektrike, si dhe me kërkesën në rritje për automjete elektrike, inteligjencën artificiale dhe burimet e rinovueshme, vlera e metalit ka të ngjarë të vazhdojë të shkëlqejë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat