Bota Postuar më 18 Prill 2026, 12:38

META, vala e parë e shkurtimeve nga puna më 20 maj/ Shkurtim 10% i fuqisë punëtore globale, rreth 8,000 punonjës

Nga SCAN TV

META, vala e parë e shkurtimeve nga puna më 20 maj/ Shkurtim 10% i

Kompania Meta synon të kryejë valën e parë të shkurtimeve të thella të vendeve të punës të planifikuara për këtë vit më 20 maj. Ndërkohë shkurtime të tjera do të vijnë më vonë, thanë për Reuters tre burime të njohura me planet. Pronari i Facebook dhe Instagram do të pushojë nga puna rreth 10% të fuqisë punëtore globale, ose afër 8,000 punonjës, në këtë raund fillestar, tha një nga burimet.

Kompania po planifikon shkurtime të mëtejshme të vendeve të punës në gjysmën e dytë të vitit, megjithëse detajet e këtyre shkurtimeve nuk janë dhënë ende. Reuters raportoi muajin e kaluar se kompania po planifikonte të pushonte nga puna 20% të fuqisë punëtore globale të saj.

Meta nuk pranoi të komentojë mbi kohën ose fushëveprimin e shkurtimeve të planifikuara. Drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg po investon qindra miliarda dollarë në inteligjencën artificiale, ndërsa kërkon të riformësojë në mënyrë dramatike funksionimin e brendshëm të kompanisë.

Në mënyrë të ngjashme edhe Amazon, ka shkurtuar 30,000 punonjës të korporatave në muajt e fundit, që përfaqësojnë gati 10% të punonjësve.

Në të dyja këto raste, drejtuesit i lidhën shkurtimet me përfitimet e efikasitetit nga inteligjenca artificiale. Një faqe interneti që gjurmon shkurtimet e vendeve të punës në sektorin e teknologjisë në të gjithë botën, raportoi se 73 mijë punonjës kanë humbur vendet e tyre të punës deri më tani këtë vit. Për të gjithë vitin 2024, shifra ishte 153 mijë shkurtime.

Shkurtimet nga puna të Meta-s këtë vit do të jenë më të rëndësishmet e gjigantit të mediave sociale që nga një ristrukturim në fund të vitit 2022.

Vitin e kaluar, kompania Meta gjeneroi më shumë se 200 miliardë dollarë të ardhura dhe arriti një fitim prej 60 miliardë dollarësh pavarësisht shpenzimeve të tepërta për inteligjencën artificiale. Kompania Meta, me seli në Kaliforni, sipas të dhënave të fundvitit të kaluar kishte në punë 79 mijë njerëz.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat