Bota Postuar më 19 Shtator 2025, 09:51

Meta prezanton syzet inteligjente/ Modeli i ri synon të transformojë tregun e pajisjeve teknologjike

Nga Kristi Ceta

Meta prezanton syzet inteligjente/ Modeli i ri synon të transformojë

Meta ka prezantuar modelin më të ri të syzeve inteligjente, të parat që janë gati për konsumatorin dhe që përfshijnë një ekran të integruar.

Kreu ekzekutiv Mark Zuckerberg zbuloi pajisjen e re gjatë eventit vjetor për zhvilluesit në Kaliforni. Modeli quhet Meta Ray-Ban Display dhe do të dalë në shitje më vonë këtë muaj me një çmim fillestar prej 799 dollarësh. Ai përmban një ekran të vogël digjital në lenten e djathtë, për detyra të thjeshta si marrja e njoftimeve.

“Ekrani është mjaftueshëm i madh për të parë një video apo për të lexuar një varg mesazhesh. Shfaqet në njërin sy dhe është pak jashtë qendre, kështu që nuk të pengon pamjen, dhe zhduket pas disa sekondash kur nuk përdoret, që të mos krijojë shpërqendrime,” shpjegoi Zuckerberg.

Por ai ka plane më ambicioze për të ardhmen e syzeve inteligjente. Sipas Zuckerberg, këto pajisje janë të përshtatshme për ndërveprim me të ashtuquajturën “superinteligjencë”, që tejkalon aftësitë njerëzore.

“Syzet janë forma ideale për superinteligjencën personale, sepse të lejojnë të qëndrosh i pranishëm në moment, ndërsa ke akses në të gjitha këto aftësi të inteligjentës artificiale që të bëjnë më të zgjuar, të ndihmojnë të komunikosh më mirë, të përmirësojnë kujtesën dhe shqisat.”

Meta ka pasur sukses të moderuar komercial me versionet e mëparshme të syzeve të saj inteligjente, të cilat gjithashtu morën përditësime gjatë të njëjtit event. Megjithatë, kompania konsiderohet pas rivalëve në garën për zhvillimin e sistemeve të avancuara teknologjike, krahasuar me OpenAI dhe Alphabet.

Meta ka filluar të rekrutojë në mënyrë masive për ta zvogëluar këtë hendek. Sipas analistëve, kompania duhet ende të punojë për të bindur publikun se syzet inteligjente janë një mjet i domosdoshëm. Megjithatë, Meta ka potencial për të arritur një pjesë të madhe të tregut të këtyre pajisjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat