Bota Postuar më 5 Dhjetor 2025, 09:36

Meta, nën “lupën” e BE-së - Kompania do të hetohet për përdorimin e IA në Whatsapp

Nga Kristi Ceta

Meta, nën “lupën” e BE-së - Kompania do të

Brukseli ka nisur një hetim të ri ndaj Meta Platforms për mënyrën se si kompania ka vendosur funksionet e inteligjencës artificiale në WhatsApp, njoftoi Komisioni Evropian.

Veprimi shënon një tjetër hap të rregullatorëve evropianë kundër kompanive të mëdha të teknologjisë, teksa BE përpiqet të gjejë ekuilibrin mes mbështetjes për sektorin dhe frenimit të ndikimit të tij.

Komisioni Evropian hapi hetimin mbi “politikën e re të Meta-s që lidhet me aksesin e ofruesve të inteligjencës artificiale në WhatsApp”, pasi kompania nga Kalifornia integroi sistemin e saj Meta AI në aplikacionin e mesazheve më herët këtë vit.

Një zëdhënës i WhatsApp tha se “pretendimet janë të pabaza”, duke shtuar se shfaqja e chatbot-eve në platformë “po krijon presion mbi sistemet tona, që nuk janë ndërtuar për të mbështetur këtë lloj ngarkese”.

“Sidoqoftë, hapësira e inteligjencës artificiale është shumë konkurruese dhe përdoruesit kanë qasje në shërbimet e tyre të preferuara në shumë mënyra, përmes dyqaneve të aplikacioneve, motorëve të kërkimit, emailit, integrimeve të partnerëve dhe sistemeve operative,” sqaroi ai.

Meta AI, një chatbot dhe asistent virtual, është pjesë e ndërfaqes së WhatsApp që nga marsi 2025 në tregjet evropiane.

Rregullatori i konkurrencës në Itali filloi një hetim paralel në korrik mbi dyshimet se Meta ka shfrytëzuar pozicionin e saj dominues duke integruar një mjet inteligjence artificiale në WhatsApp. Hetimi u zgjerua në nëntor për të parë nëse Meta e ka abuzuar më tej dominimin duke bllokuar chatbot-et rivale nga platforma e mesazheve.

Sipas Financial Times, hetimi i BE-së do të zhvillohet sipas rregullave tradicionale të konkurrencës dhe jo sipas Aktit për Tregjet Digjitale. Ky i fundit aktualisht po përdoret për të shqyrtuar shkeljet e mundshme në shërbimet “cloud” të Amazon dhe Microsoft.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat